Ndërlidhjet

Von der Leyen konfirmoi emërimet e reja për komisionarë evropianë


Ursula von der Leyen
Ursula von der Leyen

Presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, konfirmoi emërimet e dy kandidatëve të rinjë për komisionarë: Thierry Breton të Francës dhe Oliver Varhelyi të Hungarisë.

"Presidentja e ardhshme ka intervistuar kandidatët nga Hungaria dhe Franca dhe riafirmoi gatishmërinë dhe aftësinë e të dy kandidatëve, për të shërbyer si komisionarë evropian", tha Mina Andreeva, një zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Për të kompletuar ekipin e Ursula von der Leyen, nevojitet edhe një emërim tjetër nga ana e Rumanisë.

Zëdhënësja Andreeva, konfirmoi se presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian u dërgoi një letër kolegëve të saj rumunë, duke u kujtuar atyre "rëndësinë e një propozimi nga ky vend sa më shpejt të jetë e mundur".

Të propozuarit e rinjë duhet të marrin miratimin e Parlamentit Evropian.

Pamundësia për të kompletuar ekipin, ishte arsyeja kryesore që është shtyrë marrja e detyrës zyrtare nga ana e përbërjes së re të Komisionit Evropian më 1 nëntor.

Një datë më e përafërt e fillimit të punës së Komisionit Evropian është 1 dhjetori.

Parlamenti Evropian do të votojë për të gjithë ekipin e ri në pako më 27 nëntor, me kusht që deri në atë kohë të gjitha procedurat e emërimeve në këtë institucion të kenë përfunduar.

Parlamenti Evropian kishte refuzuar emërimet fillestare nga ana e Rumanisë, Francës dhe Hungarisë për komisionarë evropian.

Komisioni për Çështje Ligjore të Parlamentit Evropian, pati deklaruar se kandidati nga Hungaria, Lazslo Troszcanyi, nuk është i denjë të jetë komisioner i BE-së, sepse ka konflikte të pazgjidhura interesi.

Të njëjtin vendim PE-ja e pati marrë edhe për kandidaten rumune, Rovana Plumb.

Presidenti francez, Emmanuel Macron propozoi emrin e Thierry Breton për komisionar të ri, pasi zgjedhja e tij e parë, Sylvie Goulard, u refuzua nga ana e Parlamentit Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG