Ndërlidhjet

I kujt ishte Goce Delçev?


Kryeministri i Bullgarisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Boris Borisov dhe Zoran Zaev.
Kryeministri i Bullgarisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Boris Borisov dhe Zoran Zaev.

Moscaktimi i datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si dhe qëndrimi i fundit i palës bullgare rreth figurës së Goce Dellçevit, vë në pikëpyetje edhe të ardhmen e Komisionit të ekspertëve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Ky komision duhet të gjejë një modalitet për festimin e përbashkët të figurës së Goce Dellçevit, i cili nga të dyja palët llogaritet si figurë kombëtare e tyre, si dhe duhet të angazhohet për gjetjen e një modeli të përbashkët për t’i përmirësuar librat e historisë.

Petar Todorov, anëtar i Komisionit në fjalë, thotë se zhvillimi i bisedimeve me palën bullgare bëhet edhe më i vështirë për shkak të ndërhyrjes së politikës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Todorov thotë se Komisioni i ekspertëve mund të përafrojë shumë më shpejt dallimet rreth çështjeve të caktuara, por shprehet se “sharra has në gozhdë” për shkak se politika përfshihet në këtë proces dhe nuk u lihet në dorë vetëm historianëve.

“Në Bullgari, jo rrallëherë paraqiten deklarata nga ana e politikanëve, të cilët në kuptimin e plotë të fjalës përcaktojnë rrjedhën e punës së komisionit dhe çfarë rezultate duhet të japë ky komision. Në masë ndoshta më të vogël kjo ndodh edhe në Maqedoni”, thotë Todorov.

Ai thekson se deklaratat e pamatura në masë të madhe, ua lidhin duart historianëve që të arrijnë ujdi për çështje të caktuara që kanë dallime të dyja shtetet, sa i përket historisë.

Nga ana tjetër, Ismet Jonuzi Krosi, ligjërues në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se raportet maqedonase-bullgare kanë hyrë në vlugun e fakteve të reja historike për ta pastruar historiografinë komuniste, e cila është dashur të pastrohej shumë herët në mes të këtyre dy shteteve fqinje.

Ai thekson se moscaktimi i datës, në njëfarë forme do të ngadalësojë edhe dinamikën e zgjidhjes së dallimeve për çështje të historisë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

“Për sa i përket marrëveshjes mes dy shteteve, është në interes të të dy vendeve që këtë ta realizojnë në formën më të drejtë. Kjo ngase Republika e Maqedonisë së Veriut, ka nevojë për t’u bërë pjesë e BE-së. Ndërsa, duhet theksuar se për gjithë këtë që po ndodh, nuk është faji te proceset e sotme, por tek e kaluara komuniste, andaj është mirë që komisionet përkatëse me patjetër të gjejnë gjuhë të përbashkët për të mirën e të gjithëve, që të jemi pjesë e BE-së”, vlerëson ai.

Nga ana tjetër, Petar Todorov thotë se pavarësisht dinamikës, me të cilën zhvillohet procesi i integrimit ndërmjet dy vendeve, është në interesin e të dyja vendeve që të zgjidhen çështjet e hapura.

“Edhe nëse ngadalësohet procesi i integrimeve si rrjedhojë e ndërprerjes së procesit të zgjerimit të BE-së, puna e Komisionit të ekspertëve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, është në funksion të pajtimit me fqinjët tanë. Fqinjët tanë, Bullgaria dhe Greqia, nuk do të largohen nga këto hapësira. Pra, ne sërish do të mbetemi këtu, pavarësisht nëse do të kemi proces të përshpejtuar ose më të ngadalësuar të integrimeve. Nisur nga kjo, mendoj se është në të mirë të shoqërisë që t’i zgjidhim problemet me fqinjët tanë”, konsideron Todorov.

Ai nënvizon se gjatë procesit të fushatës zgjedhore, strukturat politike duhet të tregohen shumë të kujdesshme që të mos e minojnë procesin e zhvillimit të bisedimeve të ekspertëve të historisë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, si rrjedhojë e deklaratave populiste për konsum të politikës ditore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG