Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se disa trupa amerikane do të qëndrojnë në Siri, pavarësisht kërkesës së tij për tërheqje të ushtarëve nga ky shtet.
Ai ka thënë se një numër i vogël i ushtarëve do të mbrojnë territoret e naftës në Siri, derisa të tjerët do të qëndrojnë afër Izraelit dhe Jordanisë.
Dy javë më parë presidenti Trump ka marrë vendim për tërheqje të trupave amerikane nga rajoni kufitar mes Sirisë dhe Turqisë.
Ndërkohë, Turqia ka nisur një operacion ushtarak kundër ish-aleatëve amerikanë, kurdëve.
Javën e kaluar, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan është pajtuar për të ndalur përkohësisht luftimet në Siri, duke lejuar forcat kurde që të largohen nga rajonet e sulmuara prej ushtrisë turke në verilindje të Sirisë.
Zyrtarët e milicisë së kurdëve sirianë kanë thënë se kanë gatishmëri për t’i tërhequr forcat e tyre nga zona kufitare në verilindje të Sirisë, duke vepruar në përputhje me armëpushimin e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, i cili parasheh largimin e forcave dhe civilëve kurdë nga ky territor.
Turqia ka thënë një kohë të gjatë se luftëtarët kurdë janë një zgjatim i Partisë Popullore të Kurdistanit (PKK), e cila ka zhvilluar një fushatë brenda Turqisë prej vitit 1980, dhe të cilën Ankaraja, Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste.
Presidenti amerikan e ka mbrojtur vendimin e tij për tërheqje të trupave, pavarësisht akuzave se ka tradhtuar forcat kurde, të cilat u kanë ndihmuar Shteteve të Bashkuara në mposhtjen e grupit militant, Shteti Islamik.
“Pse duhet të angazhojnë trupat tanë në mesin e dy grupeve të mëdha, qindra apo mijëra personave që janë duke luftuar. Nuk mendoj se duhet. Unë jam zgjedhur që të kthej ushtarët në shtëpi”, ka thënë ai.
Mirëpo pavarësisht premtimit të Trumpit për kthim të ushtarëve në SHBA, aktualisht në zona të konfliktit në botë, janë të angazhuar rreth 200,000 trupa amerikane.