Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut ende besojnë në marrjen e datës për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Kryeministri Zoran Zaev ka thënë në një konferencë kushtuar perspektivave evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe procesit të reformave në Austri se në rast se liderët evropianë të enjten ose të premten nuk sjellin vendim pozitiv, atëherë kjo do të kishte pasoja ndaj qeverisë dhe mund të çojë në humbjen e shumicës parlamentare.
“Ne kemi kërkuar nga deputetët që të votojnë për ndryshimin e emrit, për ndryshimin e Kushtetutës, për pranimin e Marrëveshjeve me Bullgarinë dhe Greqinë, për shkak se BE-ja na ka premtuar datën për nisjen e bisedimeve, dhe jo anëtarësimin e menjëhershëm. Në këtë drejtim besoj se do të mbajnë llogari që të mos i lënë hapësirë palëve të treta, e nuk do të lejojnë të kthehet nacionalizmi radikal në vend”, transmetojnë mediat pjesë nga fjalimi i kryeministrit Zoran Zaev në diskutimin e organizuar nga instituti “Karl Renner” dhe fondacioni “Fridrih Ebert”.
Duke komentuar mbledhjen e së martës së Këshillit të Ministrave në Luksemburg, Zaev shfaqi keqardhjen që Ministrat e BE-së “nuk kishin guximin e mjaftueshëm që të sjellin vendimin dhe të ruajnë motivimin tek Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria”.
“Problem është Franca, e dimë se reformat janë të nevojshme, por ato janë të mundshme që realizohen paralelisht me mos humbjen e motivimit për këto shtete. Në të kundërtën nacionalizimi, populizimi dhe radikalizmi do të kthehen. Ballkani shumë ka pësuar për shkak të kësaj. Kemi marrë mësim nga e gjithë kjo andaj duam të ecim përpara që bëhemi evropianë".
"Nëse dënojnë shembullin më të mirë (Maqedoninë e Veriut) si do të motivojnë Vuçiqin, si do të motivojnë Thaçin, apo si do të motivojnë Bosnjën. Në rajonin tonë interesa kanë Turqia, Rusia, Kina, por ato nuk ofrojnë sundim të së drejtës dhe demokraci. Këtë e kemi parë, prandaj duam demokraci”, ka thënë Zaev.
Kreu i qeverisë të mërkurën pasdite do të qëndrojë në Bruksel ku do të takojë komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johannes Hahn, si dhe zyrtarë tjerë të lartë evropianë.
Ndërkohë, shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, ka vazhduar agjendën diplomatike në Parlamentin Evropian prej nga në emër të 90 për qind të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që besojnë në integrimin evropian, ka bërë thirrje për caktimin e datës për nisjen e bisedimeve.
“Do të doja edhe njëherë të theksojë bindjen time të thellë, por edhe si ministër, se ka ardhur koha të sillet vendimi për fillimin e bisedimeve aderuese me Maqedoninë e Veriut. Këtë e meritojmë jo vetëm për shkak të pritjes së gjatë, jo vetëm për shkak të Marrëveshjes së Prespës, edhe pse kemi humbur një gjeneratë për shkak të kësaj, dhe jo për shkak të kthesës demokratike që kemi bërë, por për shkak se qeveria është e përcaktuar të ecë në drejtim të mbarë dhe të bëhet shtet i vërtetë demokratik".
"Në emër të 90 për qind të qytetarëve tanë të cilët besojnë në projektin evropian dhe vërtetë mendoj se në kohën kur projekti evropian po përballet me sfida të ndryshme, do të ishte mirë për Evropën që të veprojë si një ndriçues dhe të nxis vendime të guximshme, andaj edhe bëj thirrje për miratimin e një vendimi pozitiv”, ka deklaruar Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, në një fjalim para Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian.
Por, nga ana tjetër, opozita maqedonase për mosmarrjen eventuale të datës së bisedimeve fajëson qeverinë. Nga VMRO DPMNE-ja thonë se përkundër marrëveshjes të dëmshme sipas saj me Bullgarinë dhe Greqinë, qeveria nuk arriti të merr datën e bisedimeve. Kjo, sipas VMRO-së është pasojë e dështimit të reformave dhe gjendjes së rëndë në shtet në të gjitha sferat e jetës.
“Nuk ka maqedon, nuk ka qytetar të Republikës së Maqedonisë, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare apo politike që nuk dëshiron ta shoh shtetin se si ecë përpara dhe bëhet pjesë e BE-së. Do të ishte më shumë se dëshpëruese që qytetarët e Maqedonisë të dënohet për shkak të paaftësisë së Zaevit dhe bandës rreth tij. Të mos gënjehemi, përgjegjësia është vetëm e tij dhe e askujt tjetër”, ka shkruar në Facebook, Igor Janushev, sekretari i përgjithshëm i VMRO DPMNE-së.