Policia spanjolle u përlesh me protestuesit të cilët u mblodhën në aeroportin e Barcelonës, pas shpalljes së dënimit nga Gjykata Supreme, për 12 udhëheqës të lëvizjes për pavarësi të Katalonjës.
Policia përdori shkopinj kundër protestuesve, të cilët ishin mbledhur afër hyrjes së metrosë, brenda terminalit kryesor të aeroportit të Barcelonës.
Autoritetet urdhëruan pezullimin e trafikut të metrosë në aeroport.
Administrata e aeroportit tha se të paktën 20 fluturime u anuluan për shkak të protestave.
Më parë, Gjykata Supreme dënoi nëntë udhëheqësit e Katalonjës për rolin e tyre në përpjekjet për pavarësi të rajonit në vitin 2017.
Tre të akuzuar tjerë u shpallën fajtorë dhe u gjobitën, por nuk do të vuajnë dënimet me burg.
Të 12 politikanët dhe aktivistët i kishin mohuar të gjitha akuzat.
Në përgjigje të vendimit, mijëra mbështetës të pavarësisë së Katalonjës marshuan në Barcelonë, përpara se të bllokonin disa rrugë dhe qasjen në stacionet e metrosë.
Në Katalonjë, më 1 tetor të vitit 2017, është mbajtur një referendum, në të cilin shumica e atyre që kanë marrë pjesë, kanë votuar për pavarësi nga Spanja.
Megjithatë, në referendum pjesëmarrja ka qenë e ulët dhe ai është shpallur i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese e Spanjës.
Qeveria qendrore në Madrid ka shtrirë qeverisjen në rajon dhe disa udhëheqës katalanas kanë ikur nga vendi ose janë ndaluar.