Ndërlidhjet

KE-ja e vendosur që të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e V.


Komisioni Evropian mbetet i prerë në qëndrimin e qartë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria javën që vjen duhet të marrin dritën e gjelbërt për hapjen e negociatave. Këtë e ka thënë të enjten në Bruksel Johanes Hahn, i cili deri në fillimin e mandatit të Komisionit të ri mbetet komisioner për fqinjësi dhe zgjerim të BE-së.

Duke nënvizuar përparimin e dy shteteve në përmbushjen e kritereve Hahn u ka bërë thirrje shteteve anëtare, sidomos atyre që ende hezitojnë, të marrin vendimin pozitiv sepse në të kundërtën, siç është shprehur ai, BE-ja do ta humbte besimin dhe do të krijohej në rajon një vakuum i paqëndrueshëm të cilin do ta plotësonin aktorët tjerë.

Prandaj ka thënë se këto shtete duhet të shohin edhe aspektin gjeortrategjik të zgjerimit dhe vendimit për vendet e rajonit.

“Është e qartë se nëse hezitojmë humbim kredibilitetin dhe nuk duhet të befasohem se do të ketë vakuum i cili nuk do të jetë i qëndrueshëm dhe të tjerët do ta plotësojnë. Kjo nuk është në interesin tonë. I mbetem besnik thënies sime të shpeshtë se, ose do të eksportojmë stabilitet në Ballkan ose do të importojmë jo-stabilitet. Sepse situata e vështirë atje do të ketë ndikim edhe në BE sepse të gjitha shtetet e rajonit janë të kufizuara me shtetet e BE-së” ka thënë Hahn.

Vendimi për hapjen e negociatave me Maqedoninë e veriut dhe Shqipërinë do të duhej të miratohej të martën që vjen në takimin e Ministrave të BE-së në Luksemburg. Por, vendet si Franca dhe Holanda vazhdojnë të jenë kundër.

Franca ka bërë një propozim që hapja të shtyhet për pranverën e vitit të ardhshëm e deri atëherë Komisioni do të duhej të dilte me një propozim për ndryshimin e metodologjisë në procesin e zgjerimit. Franca propozon që, sipas metodologjisë së re, procesi i zgjerimit duhet të jetë më gradual, më konkret dhe më efikas në reformat e pakthyeshme, sidomos në sundimin e ligjit.

Komisioneri Hahn ka thënë se gjithmonë ka hapësirë për metodologji të re, por se kjo nuk duhet të përdoret për të mbajtur peng vendimet.

Hahn ka folur edhe për zgjedhjet në Kosovë dhe nevojën që sapo të krijohet qeveria e re, të heqen taksat për importin e mallrave nga Serbia të cilat ai i ka quajtur të padrejta.

“Kam pritje të mëdha pas zgjedhjeve në Kosovë. Heqja e tarifave të padrejta është e domosdoshme sa më parë në mënyrë që të vazhdoj dialogu. Borrel është i gatshëm për këtë” tha Hahn.

*Expose: Një BE më pak mikpritëse

I pyetur për angazhimin e SHBA-së në rajon, pasi ky shtet ka tash dy të dërguar të posaçëm, Hahn ka thënë se BE-ja është e zënë me disa procese të brendshme si çdo pesë vite, në zgjedhjet e krerëve të institucioneve të reja, por shumë shpejtë do të ri fokusohet edhe në rajonin e Ballkanit.

Ka thënë se në Tiranë dhe Prishtinë politikanët duhet të përmbahen nga deklaratat për Shqipërinë e madhe sepse kjo kuptohet në mënyrë shumë negative edhe jashtë rajonit.

Por, i pyetur rreth idesë së ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit eventual të territoreve si zgjidhje për raportet mes Kosovës dhe Serbisë Hahn nuk e ka hedhur poshtë këtë.

“Është një prej shumë elementeve dhe ideve. Duhet të shohim se cili do të jetë rezultati final i dialogut. Kam thënë para një viti kur kjo ide u bë publike në konferencën në Alpbah të Austrisë se i vetmi kusht nga ne do të duhej të ishte që asnjë marrëveshje bilaterale të mos shkojë në dëm të stabilitetit të rajonit apo të ndonjë shteti të rajonit”, ka thënë Hahn.

Hahn edhe në Komisionin e ardhshëm Evropian do të jetë Komisioner, por për buxhet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG