Ndërlidhjet

Ambasadori Grenell zhvillon takime me udhëheqësit serbë


Ambasadori amerikan, Richard Grenell dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ambasadori amerikan, Richard Grenell dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

I dërguari presidencial i SHBA-së për bisedimet e paqes Kosovë-Serbi, Richard Grenell, po qëndron në Serbi ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren, Ana Bërnabiq.

Presidenti Vuçiq e informoi ambasadorin Grenell për qëndrimin e Serbisë në lidhje me dialogun Beograd-Prishtinë dhe pozicionin e serbëve në Kosovë. Ai gjithashtu i tha atij se Serbia është e angazhuar për zgjidhjen e problemeve Beograd-Prishtinë përmes dialogut, tha përmes një njoftimi presidenca serbe.

Deklarata citon ambasadorin Grenell të ketë thënë se “bindja e fuqishme e administratës Trump është se zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës dhe rritja e mundësive të tregtisë janë thelbësore për të siguruar paqen e qëndrueshme”.

"Qëllimi ynë është t'i drejtojmë partnerët tanë në Serbi dhe Kosovë drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për të zgjidhur konfliktin në rajon. Të dy palët do të duhet të punojnë ngushtë dhe shpejt, në këtë drejtim", ka thënë Grenell.

Më të arritur në Beograd, ambasada amerikane tha përmes një postimi në Twitter se ambasadori Grenell do të përçojë mesazhin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se populli i Serbisë dhe Kosovës dëshirojnë paqe, zhvillim ekonomik, punë dhe një jetë më të mirë për fëmijët e tyre”.

Më rastin e vizitës së diplomatit amerikan në Beograd, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq tha se është mëse e sigurtë se presidenti amerikan, Donald Trump, ka interes për rajonin dhe se ai mendon se mund të arrihet një marrëveshje (Kosovë-Serbi).

"Ai (Trump) ka më shumë vullnet për arritjen e një zgjidhje të drejtë sesa Departamenti i Shtetit", tha Daçiq për Radio Televizionin e Vojvodinës.

Vizita e ambasadorit Grenell në Beograd vjen një ditë pasi ai qëndroi në Prishtinë, ku me përfaqësuesit shtetëror dhe politik, diskutoi për mundësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një komunikate për media, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se takimi me ambasadorin Grenell, ishte i fokusuar në arritjen e marrëveshjes së paqes në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën”, ka nënvizuar Thaçi, duke shtuar se “kjo shton besimin tonë në kërkimin e marrëveshjes së paqes me Serbinë”.

Në këtë takim u tha se marrëveshja e paqes në mes Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG