Ndërlidhjet

Zgjerohen hetimet për rastin “Reketi”, katër të dyshuar të tjerë


Nënkryetarja e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Frosina Remenski.
Nënkryetarja e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Frosina Remenski.

Nënkryetarja e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Frosina Remenski është e dyshuara e re në skandalin e njohur “Reketi”.

Ajo dhe katër persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk janë publikuar dyshohen të jenë përfshirë në zhvatjen e 1.5 milion eurove nga biznesmeni, Orce Kamçev.

Për këtë rast në paraburgim ndodhet edhe ish-kryeprokurorja speciale, Katica Janeva dhe dy persona të tjerë, Boki Jovanovski dhe Zoran Milevski.

“Prokurori kompetent nga Prokuroria publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka urdhëruar nisjen e hetimeve kundër pesë personave fizikë dhe një personi juridik për shkak të dyshimeve se i dyshuari i parë ka kryer vepër penale ‘mashtrim’ ndërsa të tjerët i kanë ndihmuar në kryerjen e kësaj vepre penale. Tre nga këta persona kanë ndihmuar edhe në veprën penale ‘pastrim parash’. Katër nga personat e dyshuar janë përfshirë edhe në transferim të 720 mijë eurove përmes organizatës ‘Lidhja Ndërkombëtare’", thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Për të dyshuarin e parë, Prokuroria ka kërkuar masa kujdesi, marrjen e pasaportës dhe paraqitjen e rregullt në gjykatë.

Duke folur për zgjerimin e hetimeve për këtë rast, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev tha se ende nuk ka të dhëna të sakta, por nëse vërtetohet përfshirja e zyrtares së partisë së tij, ajo duhet të përballet me drejtësinë.

“Kur ndonjë person dyshohet, akuzohet ose diçka të ngjashme, atëherë do të zbatojmë masat e sanksioneve, që do të thotë largimin e përkohshëm të atij personi nga partia deri sa të dëshmohet pafajësia. Dyert janë të hapura gjithmonë për secilin”, ka deklaruar Zaev.

Rasti “Reketi” ka nxitur tensione të shumta në skenën politike që ka çuar edhe në rrënimin e kredibilitetit të Prokurorisë Speciale, për faktin se drejtuesja e këtij organi të akuzës, Katica Janeva është burgosur për shkak të përfshirjes së saj në këtë rast.

Në fakt, Janeva në bazë të dëshmive të publikuara, ka siguruar biznesmenin Orce Kamçev se do të përfitonte lehtësira në një proces gjyqësor kundër tij pasi t’i ketë dhënë paratë të akuzuarit të parë, Boki Jovanovski.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG