Ndërlidhjet

Komisioni i Venecias rikthen përplasjet për gjuhën shqipe


Shkup
Shkup

Drejtuesit e institucioneve janë të përmbajtur në vlerësimet lidhur njoftimet se Komisioni i Venecias ka hartuar një mendim me vërejtje serioze lidhur me Ligjin për gjuhët, që kryesisht ka të bëjë me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.

Komisioni, siç është publikuar në opinion, ka vërejtje kryesisht për formën e zbatimit të ligjit në sistemin gjyqësor, që sipas raportit “tejkalon standardet e përcaktuara në Konventën-kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe Kartës evropiane për gjuhët rajonale dhe të pakicave”.

“Është një draft-version, pas vendimit përfundimtar pritet të publikohet nga fundi i vitit. Ata duan t'i shohim të gjitha reagimet që të mund të gjejnë zgjidhjen më të mirë. Gjithë atë që e propozojnë është në nivel të praktikave evropiane".

"Ne kemi thënë se do të respektojmë çdo mendim që vjen nga ky komision, por në sqarimet tona do të japim argumente mbi rëndësinë që ka përdorimi i gjuhës, që ata të mund të formulojnë qëndrimin final“, ka deklaruar kryeministri Zaev, duke theksuar rëndësinë që ka për vendin një ligj për gjuhët, si e drejtë e garantuar me Kushtetutë.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e qeverisë gjithashtu nuk duan të paragjykojnë me vlerësimin e Komisionit të Venecias, por tërheqin vërejtjen se çfarëdo mendimi që mund të sillet, nuk duhet të shërbejë si alibi apo pretekst për moszbatimin e dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

“Ligji i gjuhës është shtylla e Marrëveshjes së Ohrit ndërsa kjo marrëveshje është shtylla e stabilitetit dhe e prosperitetit të këtij vendi dhe çdo cenim i këtyre shtyllave cenon vendin. Por, unë mendoj se nuk duhet të paragjykojmë dhe të presim raportin final. Ne jemi në bashkëpunim me Komisionin e Venecias, na ka ndihmuar shumë në strategjinë e gjyqësorit dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë, por vendimet finale për të ardhmen e këtij vendi dhe raportet ndëretnike i miratojmë ne”, ka deklaruar, Bujar Osmani, zëvendëskryeministër dhe zëdhënësi i BDI-së.

Por, nga VMRO DPMNE-ja opozitare thonë se vërejtjet që kanë dalë nga Komisioni i Venecias konfirmojnë sipas saj pohimet e opozitës se ligji ishte miratuar për nevojat e partive në pushtet, dhe jo zgjidhje ligjore që mund të zbatohet në praktikë.

“Qëndrimi jonë është se pazaret e kryeministrit Zaev, që të formojë qeverinë me miratim të ligjeve që nuk janë funksionale, tani rezulton me rekomandime nga Komisioni i Venecias që paraqesin një goditje juridike për qeverinë. Presim që kryeministri Zaev të paktën të përmbush premtimin e dhënë se të gjitha vërejtjet e Komisionit të Venecias do të merren parasysh për ndryshimin e ligjit që të mund të zbatohet”, ka deklaruar Antonio Milloshoski, deputet i VMRO DPMNE-së.

Megjithatë, nga opozita shqiptare thonë se ligji nuk mund të ndryshohet, por të avancohet.

“E drejta për përdorimin e gjuhës shqipe në të ardhmen vetëm se mund të avancohet duke u rregulluar përdorimi i saj me Kushtetutë, pasi assesi nuk mund të ketë kthim prapa”, ka deklaruar Arta Toçi nga Aleanca për Shqiptarët.

Ligji për gjuhët është miratuar në vitin 2018 pas polemikave të shumta mes pushtetit dhe opozitës, e cila vlerësonte se me këtë ligj Maqedonia e Veriut bëhet shtet dygjuhës duke rrënuar kështu karakterin unitar të shtetit. Gjuha shqipe në bazë të ligjit të miratuar përdoret në organet e pushtetit qendror, si në Qeveri, Kuvend, pushtetin gjyqësor si dhe në komunat ku mbi 20 për qind e popullatës janë të entitetit shqiptar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG