Ndërlidhjet

Kryeprokurori ukrainas mohon se ka prova kundër Bidenit


Kryeprokurori ukrainas, Ruslan Ryaboshapka.
Kryeprokurori ukrainas, Ruslan Ryaboshapka.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Ruslan Ryaboshapka, tha se ai nuk posedon prova që djali i ish-nënpresidentit, Joe Biden, kishte shkelur ligjin dhe se nuk kishte asnjë kontakt me avokatët e huaj në këtë çështje.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i kërkoi presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, gjatë një telefonate më 25 korrik, të nisë një hetim për Joe Biden dhe djalin e tij Hunter, i cili ishte pjesë e bordit të drejtorëve të një ndërmarrje të gazit në Ukrainë.

Kjo thirrje, nxiti një hetim të Dhomës së Përfaqësuesve nëse presidenti Trump kërkoi të siguronte përfitime politike duke bërë presion ndaj organeve të huaja hetimore në lidhje me rivalin e tij politik.

Hetimi mund të rezultojë me shkarkimin e presidentit amerikan.

"Unë nuk kam atë informacion", i tha kryeprokurori Ryaboshapka agjencisë Reuters, kur u pyet nëse kishte prova se Hunter Biden kishte shkelur ligjin.

Ai tha se zyra e tij po kontrollonte çështjet penale të hapura nga paraardhësi i tij, përfshirë disa që mund të lidheshin me kompaninë ukrainase të gazit Burisma.

Më 3 tetor, presidenti Trump i kërkoi publikisht Kinës që të niste një hetim mbi Joe Biden.

“Kina duhet të fillojë hetime ndaj Biden. Sepse ajo që ndodhi në Kinë është po aq e keqe sikurse ajo që ndodhi në Ukrainë”, tha Trump.

Trump dhe avokati i tij personal, Rudy Giuliani, e kanë akuzuar ish nënpresidentin Biden - një pretendent kryesor për nominimin e Partisë Demokratike për të kandiduar kundër republikanit Trump në zgjedhjet e vitit 2020 - për ndihmën e padrejtë të ndërmarrjeve të biznesit të djalit të tij në Ukrainë dhe Kinë, por nuk kanë ofruar prova.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG