Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, pas takimeve në Ohër me drejtuesit shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, ka riafirmuar mbështetjen e fuqishme amerikane për paqen, stabilitetin dhe sigurinë, jo vetëm të këtij vendi, por edhe të rajonit në përgjithësi.
Pas takimit me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Zoran Zaev, Sekretari amerikan i Shtetit tha se Uashingtoni mbështet institucionet në procesin e anëtarësimit në NATO dhe për integrimin në BE. Pompeo tha se “zemra dhe mendja e qytetarëve të Maqedonisë duhet ta udhëheqin shtetin e jo ndikimet ruse në rrjetet sociale”.
“Demokracitë duhet të thirren në brengat e qytetarëve dhe të luftojnë kundër ndikimeve të këqija. Zemra dhe mendja e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut duhet ta udhëheqin shtetin para dhe jo ndikimet ruse në rrjetet sociale... Do të doja t’ua tërheq vëmendjen edhe për pjesëmarrjen e Kinës në fushën e teknologjive të ndjeshme..."
"Presidenti Trump në Kombet e Bashkuara tha se e ardhmja u takon shteteve sovrane dhe të pavarura që i mbrojnë qytetarët e saj dhe të respektojnë fqinjët. Maqedonia e Veriut reflekton këtë frymë. SHBA-ja do të vazhdojë të jenë partner me ju për të mirën e qytetarëve tuaj, për rajonin dhe botën”, ka thënë Pompeo, duke theksuar rëndësinë që ka për të ardhmen e vendit edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative.
“Të gjitha ata që e kanë keqpërdorur besimin e marrë, duhet të japin llogari. Si demokraci udhëheqëse bë botë, SHBA-ja mbështet shtetet që luftojnë për sundimin e së drejtës. Lufta kundër korrupsionit është shumë e rëndësishme për integrimin e vendit në BE dhe në NATO”, është shprehur Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Ai ka vlerësuar lart marrëveshjet që ka arritur Maqedonia e Veriut me Greqinë dhe Bullgarinë që i hapën rrugën integrimit euroatlantik të vendit.
“Jam i bindur se Maqedonia e Veriut do të jetë një aleat i fuqishëm në NATO dhe jam i bindur se Senati i SHBA-së këtë vjeshtë do të miratojë protokollin për anëtarësim, me çka edhe formalisht do t'ju dëshirojmë mirëseardhjen në Aleancë”, ka theksuar Pompeo.
Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev ka thënë se mbështetja amerikane për Maqedoninë e Veriut është shumë e rëndësishme për të sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e saj.
“Ne jemi të gatshëm që me ritëm edhe më të fuqishëm të marrim pjesë në të gjitha nismat globale që konfrontohen me dezinformatat dhe kërcënimeve për demokracinë. Me anëtarësimin tonë në NATO kontributi ynë në këtë sferë do të paraqesë nxitje edhe më të madhe dhe dimension të ri. Anëtarësimi në NATO është vendim sovran yni që ka mbështetje të madhe politike dhe konsensus ndëretnik. Me këtë ne arrijmë qëllimin tonë historik”, ka deklaruar Zaev.
Ai ka thënë se Maqedonia e Veriut është shtet unik në rajon pasi nuk ka asnjë kontest me shtetet fqinjët duke përmendur këtu arritjen e marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë që i kanë hapur rrugën integrimit të vendit në NATO dhe BE.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, edhe në takimin me presidentit Stevo Pendarovski ka theksuar mbështetjen amerikane jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për rajonin në përgjithësi.
“SHBA-ja është partneri ynë strategjik që nga pavarësia, ndërsa mbështetja amerikane ishte vendimtare në reformat në mbrojtjen dhe transformimin e armatës, me qëllim përmbushjen e kritereve për anëtarësim në NATO. Përmes programit për zhvillim, SHBA-ja ka ndihmuar në forcimin e institucioneve, sundimin e shtetit ligjor, forcimin e sektorit civil dhe të mediave, si dhe mbështetjen e klimës së biznesit”, thuhet në një komunikatë të kabinetit të presidentit Pendarovski.
Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, është e para e një niveli kaq të lartë që nga vizita e ish-sekretarit, Colin Powell, 19 vjet më parë.