Ndërlidhjet

Presidenti Trump thotë se Kina duhet ta hetojë Joe Bidenin


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe ish-nënpresidenti, Joe Biden
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe ish-nënpresidenti, Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bëri thirrje sërish për një ndërhyrje të huaj, për të hetuar rivalin e tij politik, Joe Biden.

Një kërkesë e ngjashme e presidentit, tashmë ka nxitur një procedurë shkarkimi ndaj Trumpit nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit.

Derisa po niste udhëtimin për në Florida, presidenti Trump u tha gazetarëve se Kina duhet të nis hetim ndaj Bidenit dhe djalit të tij.

“Ndërkohë, Kina duhet të fillojë hetime ndaj Biden. Sepse ajo që ndodhi në Kinë është po aq e keqe sikurse ajo që ndodhi në Ukrainë”, tha Trump.

Trump dhe avokati i tij personal, Rudy Giuliani, e kanë akuzuar ish nënpresidentin Biden - një pretendent kryesor për nominimin e Partisë Demokratike për të kandiduar kundër republikanit Trump në zgjedhjet e vitit 2020 - për ndihmën e padrejtë të ndërmarrjeve të biznesit të djalit të tij në Ukrainë dhe Kinë, por nuk kanë ofruar prova.

Trump e pyeti presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, gjatë një telefonate në muajin korrik, për të hetuar Bidenin dhe djalin e tij, Hunter Biden, i cili ishte në bordin e një kompanie të gazit në Ukrainë.

Presidenti Trump ngriu 400 milion dollarë të ndihmës së SHBA-së për Ukrainën, pak para se ai të zhvillonte telefonatën me presidentin Ukrainas, duke shkaktuar akuza nga demokratët se ai kishte abuzuar me politikën e jashtme amerikane për përfitime personale.

Zbulimi i detajeve të telefonatës u bë nga një informator i paidentifikuar.

Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, shpalli menjëherë nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit.

Vendimin përfundimtar për shkarkimin e një presidenti e mban Senati, në të cilin republikanët e kanë shumicën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG