Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë të ditur në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë se të gjitha konkurset për punësim në shërbimin civil, të publikuara nga institucionet e administratës shtetërore, siç janë ministritë, agjencitë ekzekutive dhe rregullative, nuk mund të shkojnë përpara para se të merren vendime të tilla nga Qeveria.
“Kjo është e vetmja mënyrë e ligjshme dhe e shëndoshë që nuk i ekspozon institucionet para sfidave ligjore, përndryshe do të rrezikohej që institucionet dhe partitë politike të ekspozoheshin ndaj akuzave dhe kritikave për politizim të administratës publike. Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Administratës Publike që t’i informojë institucionet publike që konkurset për punësim të shpallura aktualisht nga institucionet e administratës shtetërore nuk mund të vazhdojnë tutje deri kur Qeveria t’i ketë aprovuar aktet përkatëse nënligjore dhe t’i ketë marrë vendimet e duhura”, është thënë në përgjigjen e BE-së.
BE-ja ka thënë po ashtu se ka marrë parasysh deklaratat e bëra nga shoqëria civile, të cilat kanë ngritur shqetësime në lidhje me konkurset e shpallura aktualisht.
“Të gjitha punësimet në shërbimin civil duhet të jenë në përputhje me standardet e paanshmërisë dhe meritës. Duhet të shmanget çdo përshtypje e anshmërisë politike ose personale. BE-ja dhe Qeveria e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë së bashku, edhe pasi të jetë formuar qeveria e re pas zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurojnë zbatim të duhur të reformës së administratës publike në përputhje me parimet e qeverisjes së mirë”.
Sipas zyrës së bllokut evropian, miratimi i pakos së legjislacionit për reformë të administratës publike në muajin shkurt të këtij viti ka shënuar hap të rëndësishëm përpara për administratën publike të Kosovës.
“Ligji për zyrtarët publikë sjell ndryshime të konsiderueshme në mënyrën e rekrutimit të nëpunësve civilë dhe punonjësve të shërbimeve publike, duke mundësuar një qasje më të bazuar në merita për pranimet në administratën publike. Megjithatë, që ky ligj dhe ndryshimet e tij të zbatohen në praktikë, qeveria duhet të marrë një numër vendimesh dhe t’i miratojë aktet e duhura nënligjore”, është thënë në përgjigje.
Në faqet e internetit të disa institucioneve shtetërore dhe komunale, të cilat i ka verifikuar edhe Radio Evropa e Lirë, siç janë faqet e internetit të Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Infrastrukturës, Ministrisë së Diasporës, asaj të Administratës Publike, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e po ashtu edhe në nivelin lokal, ku janë identifikuar Komuna e Prishtinës, e Podujevës dhe ajo e Prizrenit e komuna tjera, ditë më parë janë parë shumë konkurse të hapura për punësime.
Këto ministri udhëhiqen nga partitë që kanë qenë pjesë e koalicionit të fundit qeverisës, kurse komunat udhëhiqen edhe nga partitë që ishin në opozitë gjatë mandatit të fundit të institucioneve qendrore.
Përfaqësues të organizatave joqeveritare në Kosovë, kanë thënë se shpallja e konkurseve për vende të reja të punës në institucionet publike në kohë zgjedhjesh, ishte dhe mbetet dukuri me të cilën është përballur Kosova.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 6 tetor.
Lexoni edhe këta artikuj:
Konkurse për punësim në kohë zgjedhjesh