Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria ende nuk kanë zgjidhur kontestet historike, pavarësisht arritjes së Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë, më 2 gusht 2017.
Dallimet mes dy vendeve për disa personalitete dhe ngjarje historike, janë aktualizuar tani para samitit të Këshillit Evropian, që do të mbahet gjatë këtij muaji.
Bullgaria ka thënë se mbështet integrimin evropian të fqinjit të saj, Maqedonisë së Veriut, por se mbështetja nuk mund të jetë pa kushte.
Sofja kërkon që të kapërcehen dallimet për personalitetet historike, siç janë Goce Dellçevi, Jane Sandanski e Klimenti Ohrit. Këto personalitet që kanë vepruar nga fundi i shekullit XIX konsiderohen heronj si për Shkupin ashtu edhe për Sofjen, në veçanti Goce Dellçev, i lindur në Kukush të Greqisë Veriore, por ai sipas të dhënave historike është deklaruar bullgar, por ka luftuar për çlirimin e territoreve të Maqedonisë së atëhershme.
Megjithatë, sipas bullgarëve, Dellçevi ka luftuar për çlirimin e gjithë territoreve të tyre nga Perandoria Osmane, kurse për maqedonasit për çlirimin dhe krijimin e shtetit të parë maqedon. Krerët e shtetit bullgarë kanë thënë se pavarësisht Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë, pa zgjidhjen e këtyre dallimeve historike, Shkupi mund të hasë në bllokimin e anëtarësimit përfundimtar në BE.
“Asnjëherë nuk kemi thënë se pa kushte do të mbështesim anëtarësimin e saj (Maqedonisë së Veriut) në BE. Kemi 71 instrumente që këtë ta bëjmë gjatë procesit të hapjes së kapitujve. Prandaj, apeloj që t'i japin fund lojërave me historinë dhe të kaluarën dhe të koncentrohen te e ardhmja”, ka deklaruar presidenti bullgar, Rumen Radev.
Ndërkaq, historiani, Llazar Llazarov thotë se me këto kontestime për figura të ndryshme historike, Bullgaria po “mohon” identitetin e popullit maqedonas,
“Unë nuk mund ta kuptoj se si mund të quhet Marrëveshje e fqinjësisë së mirë, kur miku me të cilin ke nënshkruar marrëveshjen mohon identitetin tënd. Nuk janë kontestuese vetëm kërkesat për Goce Dellçevin, Jane Sandanskin apo Klimentin e Ohrit, bëhet fjalë për mohimin e një populli të tërë, të maqedonasve si komb apo përvetësimin e këtyre personaliteteve të rëndësishme për identitetin tonë kombëtar. Kjo nuk është në interes të raporteve të fqinjësisë së mirë”, thotë historiani, Llazarov.
“Nuk mundet ajo të mohojë të drejtën e një populli që të quhet ashtu siç është. Askush nuk ka të drejtë të na e ndërrojë emrin apo të përvetësojë personalitete nga e kaluara historike, që kanë lënë gjurmë në çlirimin e kombit tonë. Unë kam kritikuar edhe kryeministrin (e Maqedonisë së Veriut, Zoran) Zaev kur thoshte se Kryengritja e Ilindenit është edhe e maqedonasve edhe bullgarëve. Nuk është kështu, pasi ajo ka ndodhur në Maqedoni dhe nuk mund të jetë ndryshe”, thekson Llazarov.
Por, kryeministri maqedonas Zoran Zaev beson në kapërcimin e dallimeve, ndërsa nuk pret që Bullgaria të bllokojë datën e bisedimeve apo procesin e integrimit përfundimtar në BE.
“Besoj se edhe ky kapitull i historisë do të mbyllet dhe do të gjejmë zgjidhje përfundimtare, pasi me këtë ne forcojmë miqësinë që është edhe qëllimi ynë. Besoj se Bullgaria do të jetë një nga mbështetësit më të mëdhenj të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.
Edhe njohësit e çështjeve politike nuk presin bllokada nga Bullgaria, por theksojnë rëndësinë që ka për procesin mbyllja e dallimeve për çështjet historike.
“Para e kemi një rrugë të gjatë për zbatimin e marrëveshjes apo të 33 kapitujve që duhet të realizohen në praktikë, që do të thotë se na pret një proces i mundimshëm edhe me Bullgarinë, që në fund të arrijmë anëtarësimin në BE”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, ish-diplomati, Muhamed Halili.