Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Bankës Qendrore të Iranit, ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, gati një javë pas një sulmi në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite, për të cilin disa zyrtarë amerikanë fajin i kanë hedhur Teheranit.
Presidenti amerikan nuk ka dhënë detaje për sanksionet.
Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, u ka thënë po ashtu gazetarëve se banka është burimi i fundit i financimit i Teheranit.
I pyetur për mundësinë e përgjigjjes ushtarake ndaj Iranit, Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë gjithmonë të përgatitura dhe se sulmi është gjithmonë i mundshëm.
Irani ka mohuar ndonjë përfshirje në sulmin e 14 shtatorit, i cili ka tronditur tregjet globale të naftës dhe ka përshkallëzuar tensionet në mes të Uashingtonit dhe Teheranit.
Përveç SHBA-së, edhe Arabia Saudite fajëson Iranin për këtë sulm.
Trump, që ka folur para gazetarëve bashkë me kryeministrin Australian, Scott Morrison, ka thënë se dëshiron të arrijë një marrëveshje paqësore pas sulmit të fundjavës në rafineritë e naftës.
Por, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i ka konsideruar sulmet “akt të luftës”.