Një zëdhënës i presidentit afgan, Ashraf Ghani tha se Qeveria afgane do ta marrë në konsideratë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje me talibanët, vetëm pas zgjedhjeve kombëtare që do të mbahen në shtator.
Zëdhënësi Sediq Seddiqi i bëri këto komente më 14 shtator ku tha se “asgjë nuk do të pengojë që zgjedhjet presidenciale të mbahen” më 28 shtator.
Seddiqi tha se “legjitimiteti” i një marrëveshjeje të paqes me talibanët “nuk mund të arrihet pa u mbajtur zgjedhjet”.
Ai tha se delegacioni i talibanëve, që më 13 shtator vizitoi Rusinë, vetëm pak ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump anuloi bisedimet me talibanët, tregon se talibanët po përballen me “dështim politik”.
Seddiqi tha se talibanët duhet të mbajnë bisedime të drejtpërdrejta me Qeverinë afgane dhe jo me fuqitë e huaja.
Talibanët refuzojnë që të takohen me Qeverinë e Afganistanit.
Një ekip negociator i talibanëve, më 13 shtator, u takuan në Moskë me Zamir Kabulov, të dërguarin e presidentit Vladimir Putin për Afganistan.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ruse tha për Interfax, se në këto takime është theksuar rëndësia e rinisjes së bisedimeve ndërmjet SHBA-së dhe talibanëve. Kjo ministri po ashtu tha se negociatorët talibanë, të kryesuar nga Mullah Sher Mohammad Stanikzai, i kanë thënë Kabulovit se ata janë të gatshëm të vazhdojnë bisedimet me Uashingtonin.
Talibanët e konsiderojnë Qeverinë e Afganistanit si kukull të SHBA-së dhe kanë paralajmëruar popullatën që të mos dalin në zgjedhjet e 28 shtatorit, duke thënë se qendrat e votimeve do të jenë cak i sulmeve të militantëve.