Prokuroria e Shqipërisë ka paraqitur të martën përfundimin e hetimeve ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi 12 vjet burg për ish-ministrin Tahiri, për bashkëpunim me një grup kriminal në trafikimin e substancave narkotike drejt Italisë në të paktën 4 raste gjatë viteve 2013 dhe 2015, transmeton Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe.
Hetuesit shqiptarë konkluduan se, Saimir Tahiri, dhe ish-drejtori i policisë së Vlorës, Jaeld Çela, u kanë krijuar mbrojtje trafikantëve.
Gjatë seancës gjyqësore, u lexuan edhe disa përgjime të cilat i kishte siguruar hetuesia.
Ish-ministri i Brendshëm Tahiri i hodhi poshtë akuzat si të pabazuara në prova.
Hetimet ndaj ish-ministrit Tahiri, filluan në nëntor të vitit 2017, nën dyshimet se ai kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, që janë kusherinj të tij.
Ata ishin pjesë e një organizate e cila trafikonte drogë të llojit marihuanë nga Shqipëria drejt Italisë.