Mediat amerikane raportojnë se Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA), në vitin 2017, ka nxjerrë nga Rusia një rus, i cili ka ofruar sekrete për presidentin Vladimir Putin, informacione për përfshirjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016, e të tjera.
New York Times dhe CNN raportojnë se personi është konsideruar si pasuri e vlefshme për inteligjencën amerikane. Sipas tyre, edhe pse nuk ka qenë në qarkun e brendshëm të Putinit, ai ka pasur qasje në planifikimin e sigurisë ruse dhe informacione të tjera të klasifikuara.
Zyrtarë rusë i thanë gazetës Kommersant se këto raporte janë false. Një zëdhënëse e CIA-s i tha CNN-it se raporti është "spekulim i gabuar", ndërsa zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, e cilësoi po ashtu si jo të saktë.
"Raportimi i CNN-it nuk është vetëm i pasaktë, ai ka potencial të rrezikojë jetë njerëzish", tha Grisham.
New York Times raporton se personi ka siguruar informacione për Shtetet e Bashkuara me dekada të tëra, përfshirë njohuri që i kanë ndihmuar agjencitë e inteligjencës amerikane të konstatojnë se Putin ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në përpjekjet për të ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA, në favor të zgjedhjes së Donald Trumpit president.
Në fund të vitit 2016 dhe më 2017, sipas gazetës New York Times, CIA ka kërkuar që ta nxjerrë personin nga Moska, por ai nuk ka pranuar, duke përmendur arsyet familjare. Në gjysmën e parë të vitit 2017, megjithatë, rusi është pajtuar.
CNN gjithashtu raporton se vendimi për të nxjerrë personin nga Rusia është nxitur nga shqetësimet e inteligjencës amerikane se Trump mund të ketë bartur informacione të klasifikuara te zyrtarët rusë.
Edhe pse një gjë e tillë u mohua fuqishëm nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, disa ish-zyrtarë të inteligjencës thanë se takimet me dyer të mbyllura të Trumpit me Putinin dhe zyrtarë të tjerë rusë, së bashku me postimet në Twitter për çështje delikate të inteligjencës, i kanë rritur shqetësimet.
“Kemi një president, i cili, ndryshe nga çdo president tjetër në historinë moderne, është i gatshëm të përdorë inteligjencën e ndjeshme, të klasifikuar, ashtu siç i përshtatet atij”, tha Steven Hall, ish-zyrtar i CIA-s, i cili ka udhëhequr operacionet e agjencisë në Rusi.
“Ai e bën këtë përpara kundërshtarëve tanë. E bën në Twitter. Ne jemi në ujëra të paeksploruar”, tha ai.
Komuniteti i inteligjencës amerikane e konsideron Rusinë si një nga dy kërcënimet më të mëdha për sigurinë kombëtare të SHBA-së, së bashku me Kinën.
Megjithatë, New York Times raporton se vendimi për ta nxjerrë personin nga Rusia është bazuar në një numër në rritje të raporteve të mediave amerikane në atë kohë, që i referoheshin mundësisë së një informatori amerikan në Moskë.
Gazeta ruse Kommersant raporton se informatori i supozuar mund të ketë punuar si nëpunës civil në administratën presidenciale dhe më herët në ambasadën ruse në Uashington. Gazeta e identifikon atë si Oleg Smolenkov.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se një burrë me atë emër ka punuar në administratë, por tha se "ai është pushuar nga puna disa vjet më parë".
Regjistrimet publike nga administrata e Qeverisë ruse në vitin 2008 dhe 2010 tregojnë se një person i quajtur Oleg Smolenkov ka punuar në administratën e Dmitry Medvedevit, i cili ka shërbyer si president i Rusisë në periudhën 2008-2012.
Edhe një listë pa datë e personelit në ambasadën ruse në Uashington tregon se Oleg Smolenkov ka punuar atje si sekretar i dytë.
Një raport në ueb-faqen Daily Storm, nga viti 2017, thotë se hetuesit rusë kanë hapur një hetim për vrasje, pasi Smolenkov dhe familja e tij dyshohet se janë zhdukur gjatë kohës sa kanë qenë në Mal të Zi.
Kommersant citon zyrtarë të paidentifikuar të sigurisë të kenë thënë se hetimi i vrasjes është hapur dhe mbyllur disa herë.
Vendndodhja e burimit të informacioneve zakonisht është sekrete.
Vitin e kaluar, operativët rusë kanë udhëtuar drejt Anglisë dhe kanë përdorur agjentin nervor në një përpjekje për të vrarë ish-zyrtarin e inteligjencës ushtarake ruse, Sergei Skripal, i cili ka spiunuar për britanikët.
Në vitin 2006, operativët rusë, sipas hetuesve britanikë, kanë vrarë ish-oficerin e inteligjencës, Alexander Litvinenko, duke e helmuar në qendër të Londrës.