Ndërlidhjet

Irani përjashton bisedimet dypalëshe me SHBA-të


Presidenti iranian, Hassan Rohani viziton centralin bërthamor në Bushehr. Foto nga arkivi.
Presidenti iranian, Hassan Rohani viziton centralin bërthamor në Bushehr. Foto nga arkivi.

Irani refuzon të mbajë bisedime dypalëshe me Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, vendi është shprehur i gatshëm, që në rast të heqjes së sanksioneve, të angazhohet në bisedime shumëpalëshe, që do të përfshinin nënshkruesit e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Duke folur në një seancë të hapur të parlamentit më 3 shtator, presidenti iranian, Hassan Rohani, gjithashtu tha që Irani ishte i gatshëm të zvogëlojë më tej përmbushjen e obligimeve nga marrëveshja e vitit 2015, nëse negociatat aktuale nuk arrijnë të japin ndonjë rezultat.

“Asnjë vendim nuk është marrë ndonjëherë për të zhvilluar bisedime me SHBA-në. Ka pasur shumë oferta për bisedime, por përgjigja jonë do të jetë gjithmonë negative", tha Rohani.

Ai shtoi se nëse Shtetet e Bashkuara heqin sanksionet, "do të ishte akoma e mundur të merrte pjesë bisedime" midis Teheranit, dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është shprehur i gatshëm të takojë liderët iranianë për bisedime pavarësisht "presionit maksimal" të Uashingtonit mbi Teheranin.

Udhëheqësit iranianë thonë se ata mbeten të përkushtuar në marrëveshje, por kërkojnë që palët e evropiane në marrëveshje - Britania, Franca dhe Gjermania - të marrin masa për të ndihmuar vendin të anashkalojë sanksionet e SHBA-së, dhe të përfitojë ekonomikisht.

Në Paris, diplomatët iranianë janë duke zhvilluar bisedime me zyrtarët francezë, në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen.

Ndërkohë, Teherani ka filluar të tejkalojë kufizimet e vendosura si pjesë e marrëveshjes.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, ka thënë se Irani do t’i kthehet përmbushjes së plotë të marrëveshjes, atëherë kur kombet evropiane përmbushin angazhimet e tyre.

Zarif i bëri deklaratat në Moskë, më 2 shtator, pas bisedimeve me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, i cili mirëpriti një iniciativë franceze për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore.

Shtetet e Bashkuara në vitin 2018 u larguan nga marrëveshja si dhe rivendosën sanksionet ndaj Iranit.

Presidenti Trump ka thënë se marrëveshja ishte e negociuar keq, dhe se ajo i lejon këtij vendi të posedojë armë bërthamore.

Uashingtoni e sheh Iranin si sponsorizuesin kryesor të terrorizmit në rajon.

Zyrtarët e lartë amerikanë kanë thënë se SHBA-ja nuk do të pranojë kurrë që Irani të posedojë armë bërthamore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG