Ndërlidhjet

Irani kërcënon me shkelje të tjera të marrëveshjes bërthamore


Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.
Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.

Irani tha të hënën se do të zvogëlojë tutje angazhimet e parapara me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, nëse vendet evropiane dështojnë të mbrojnë ekonominë e tij nga sanskionet që ia ka rivënë Uashingtoni.

Ky i fundit është tërhequr vitin e kaluar nga marrëveshja bërthamore, me të cilën Irani ka kufizuar programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

SHBA-ja më pas ka rikthyer një varg sanksionesh kundër Republikës Islamike.

"Është e pakuptimtë të vazhdojmë angazhimet e njëanshme nëse nuk i gëzojmë përfitimet nga marrëveshja, ashtu siç kanë premtuar palët evropiane në marrëveshje", tha ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij rus në Moskë.

Irani, së voni, ka rritur rezervat me uranium të pasuruar përtej limiteve që i parasheh marrëveshja, ndërsa ka kërcënuar se do të ndërmarrë hapa të tjerë nga 6 shtatori.

Palët evropiane në marrëveshje - Britania, Franca dhe Gjermania - kanë kërkuar nga Irani që të veprojë në përputhje me të.

Nënshkruese të marrëveshjes janë edhe Rusia dhe Kina.

Kur është tërhequr nga marrëveshja, presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ajo nuk ka qenë mjaftueshëm e ashpër për të penguar Iranin nga krijimi i armës bërthamore dhe se nuk e ka adresuar programin raketor të Iranit dhe as mbështetjen e tij për militantët në rajon.

Irani ka mohuar se mbështet aktivitetet kryengritëse dhe ka thënë se programi i tij bërthamor ka rreptësisht qëllime paqësore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG