Ndërlidhjet

Njoftime kundërthënëse për fëmijët e kthyer nga Siria në Kosovë


Gratë dhe fëmijët e kthyer nga Siria, gjatë qëndrimit të tyre në Qendrën për të Huajt në Vranidoll të Prishtinës.
Gratë dhe fëmijët e kthyer nga Siria, gjatë qëndrimit të tyre në Qendrën për të Huajt në Vranidoll të Prishtinës.

Fëmijët kosovarë, të cilët u kthyen nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, nuk e nisën të hënën mësimin në shkollat e Kosovës, ashtu siç u paralajmërua më herët.

Kështu tha ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili tha se këta fëmijë ende nuk janë gati për t’u kthyer në bankat e shkollës.

“Janë duke u bërë përgatitjet. Kemi pasur nevojë për disa përgatitje dhe besojmë se shumë shpejt do të jenë pjesë e integruar nëpër klasa. Në momentin që t’i përgatisim fëmijët që të jenë të integruar në klasë, do të jenë pjesë e klasave të rregullta”, tha Bytyqi duke mos specifikuar se për çfarë përgatitjesh bëhet fjalë.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë, së bashku me kryetarin e kryeqytetit, Shpend Ahmeti.

Por, disa orë më vonë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës doli me një sqarim për opinionin, i cili dallon nga deklaratat e ministrit Bytyqi.

Sipas sqarimit të Ministrisë së Arsimit, sot (më 2 shtator) kanë filluar mësimin edhe fëmijët e moshës shkollore të kthyer nga vatrat e luftës.

“Procesi mësimor ka filluar edhe për nxënësit, mosha e të cilëve është me e madhe se mosha e paraparë me Ligjin për arsimin parauniversitar për të qenë nxënës të rregullt", thuhet në sqarim.

Në prill të këtij viti, 110 qytetarë të Kosovës, përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë janë kthyer nga Siria në Kosovë.

Prej fëmijëve në fjalë, 10 i takojnë nivelit të kopshteve, 5 janë parashkollorë, 25 do të vazhdojnë arsimin fillor dhe 34 nivelin e mesëm të ulët dhe të lartë të arsimit.

Më herët, edhe ministri në detyrë i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, shprehu kënaqësinë që, siç tha, në bankat shkollore në Kosovë sot ulen edhe fëmijët e kthyer nga Siria.

Për më shumë, lexoni këtë:

Tahiri: 74 fëmijë shqiptarë i kemi nxjerrë nga tmerri i luftës në Siri

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG