Ndërlidhjet

Përfshirje e ulët e të rinjve në tregun e punës


Shkup, foto nga arkivi.
Shkup, foto nga arkivi.

Masat dhe programet e shumta që po ndërmerr Qeveria e Maqedonisë së Veriut për vetëpunësimin e të rinjve, me qëllim të uljes së papunësisë, kanë sjellë në masë të caktuar rezultate, por të rinjtë, sipas njohësve, vazhdojë që perspektivën e tyre ta shohin në vendet e Bashkimit Evropian.

Së fundmi, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, përmes një video-mesazhi, që e ka shpërndarë në rrjetet sociale, i ka porositur të rinjtë që të luftojnë për krijimin e kushteve më të mira në shtetin e tyre.

“Mos kërkoni punë vetëm në administratën shtetërore, mundohuni të filloni me ngritjen e biznesit tuaj, shteti jep shumë mundësi përmes fondit për inovacione, masave për vetëpunësim, etj”, është shprehur Zaev.

Qeveria, duke iu referuar të dhënave të Entit të Statistikave, ka thënë se Maqedonia e Veriut ka shkallën më të ulët të papunësisë, përkatësisht papunësia është 17,8 për qind.

Por, sipas të dhënave të Eurostatit për vitin 2018, tregojnë se Maqedonia e Veriut, gjendet në krye të listës ku të rinjtë (mosha 20-34-vjeçare) nuk janë të punësuar, nuk janë duke kryer studime apo nuk janë të kyçur në ndonjë praktikë për punësim. Kjo kategori përfshin 36,3 për qind të popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, mesatarja e të rinjve që janë të papunë, po sipas të dhënave të Eurostatit, në vendet evropiane është 16,5 për qind.

Sefer Selimi, aktivist për të drejtat e të rinjve, për Radion Evropa e Lirë thotë se duhet investuar më shumë në fuqizimin e lidhjes ndërmjet arsimit dhe tregut të punës, përkatësisht të lidhjeve midis kompetencave të vendit të punës dhe rezultateve nga nxënia në programet mësimore.

“Arsim, në përgjithësi, në të shumtën e rasteve nuk i përgatit të rinjtë për të qenë sipërmarrës, por ata i trajton më tepër në kuadër të perspektivave të një force punëtore e cila nuk është shumë e kualifikuar. Në të njëjtën kohë, sistemi arsimor nuk mundëson kultivimin e mendimit kritik”, thotë Selimi, duke shtuar se gjatë procesit arsimor, të rinjtë nuk motivohen për t’u bërë sipërmarrës.

Selimi shton se problematike është dhe ndërhyrja e politikës në zhvillimin e biznesit, që sipas tij, është shumë demotivuese për të rinjtë, që të merren me biznes.

“Shumë të rinjtë ngurojnë të aplikojnë për të përfituar nga masat e Qeverisë, si rrjedhojë e ndërhyrjes së politikës gjatë shpërndarjes së tyre dhe mosqasjes së barabartë të institucioneve gjatë zhvillimit të biznesit”, thotë Selimi.

Ndërkaq, Mile Boshkov nga konfederata e punëdhënësve në Maqedoninë e Veriut, thekson se të rinjtë në Maqedoninë e Veriut edhe atëherë kur kanë mundësi për t’ukyçur në tregun e punës, refuzojnë të punojnë për shkak të kushteve të këqija në vendin e punës dhe pagave të ulëta.

“Të rinjtë janë mirë të informuar se moshatarët e tyre (në vendet e BE-së) për punën e njëjtë marrin paga shumëfish më të larta se këtu dhe kjo është deinkurajuese, ndërkohë që shpenzimet për jetesë edhe këtu në Maqedoninë e Veriut janë të larta. Njëherësh, kushtet e punës janë shumë më të këqija se në vendet evropiane. Këto janë dy faktorët kryesorë që ata të ardhmen e shohin jashtë vendit dhe nuk dëshirojnë të kyçen në tregun e punës edhe atëherë kur kanë mundësi të gjejnë një vend pune”, thotë Boshkov.

Organizatat që në fokus kanë të drejtat e të rinjve theksojnë se shteti duhet të angazhohet që të subvencionojë në forma të ndryshme kompanitë që angazhojnë të rinjtë në punë, veçanërisht ata që punojnë me kohë të pjesshme gjatë studimeve, por edhe të inkurajojnë të rinjtë që të hapin bizneset e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG