Ndërlidhjet

Quint-i për zgjedhjet: Mundësi vendimtare për qytetarët që të vendosin për drejtimin e shtetit


Ilustrim.
Ilustrim.

Vendet e Quint-it (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia) kanë thënë përmes një deklarate të përbashkët se presin nga të gjitha partitë politike të krijojnë një ambient të drejtë të garës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen në 6 tetor në Kosovë.

Këto vende kanë konsideruar këtë proces zgjedhor “mundësi vendimtare për qytetarët e Kosovës që të vendosin për drejtimin e shtetit”.

Aty është thënë se Kosova ka nevojë për sundim të ligjit andaj kandidatët nuk duhet të kenë të kaluar kriminale ashtu që të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë. Sikurse në zgjedhjet e kaluara, ne do të bashkohemi me organet tjera lokale dhe ndërkombëtare për të ndihmuar që të sigurohet një ambient i lirë dhe i drejtë”, është thënë në deklaratë.

Pëveç kësaj, këto shtete kanë thënë se presin mbajtje të zgjedhjeve të besueshme dhe kanë kërkuar nga banorët e këtij shteti që të dalin e të votojnë, derisa kandidatëve të garës zgjedhore iu kanë bërë thirrje që të jenë mbi retorikën populliste dhe atë nacionaliste, pasi sipas tyre një gjë e tillë nuk i ndihmon Kosovës.

“Votuesit dëshirojnë që udhëheqësit e tyre të sigurojnë që të rinjtë e Kosovës do të mund të ndërtojnë të ardhmet e tyre këtu. Votuesit meritojnë përgjigje të detajuara nga partitë për atë se si programet e tyre do të forcojnë sistemin e arsimit ashtu që të diplomuarit të jenë më mirë të përgatitur për punësim; se si ato programe do të krijojnë vende pune dhe si do të përmirësojnë zhvillimin e sektorit privat dhe investimet, si do të përkrahin ndërmarrësinë, si do të mbajnë përgjegjësinë fiskale, dhe si do të përmirësojnë sigurinë e furnizimit me energji dhe mjedisin", është thënë në deklaratë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë rezultat i dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës në korrik të këtij viti.

Ai ka thënë të ketë marrë këtë vendim pas ftesës që i është bërë nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, për të dëshmuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG