Ndërlidhjet

David McAllister viziton Serbinë


David McAllister
David McAllister

Kryetari i Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, po qëndron për vizitë zyrtare në Serbi, ku takoi presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, dhe zyrtarë të tjerë të shtetit serb.

Sipas një komunikate të Qeverisë së Serbisë, McAllister tha se Serbia ka reputacionin e faktorit të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, por theksoi nevojën që ky vend të bëjë më shumë në fushën e sundimit të ligjit.

Ai tha se pret që aktivitetet shtesë të institucioneve serbe të çojnë në hapjen e kapitujve të rinj të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Vuçiq, në anën tjetër, tha se vendi i tij do të vazhdojë të bëjë reforma në përputhje me porositë e BE-së.

Ai po ashtu tha se Serbia e mbështet vendosmërisht dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovvën, por theksoi se ky dialog është i mundshëm vetëm kur Kosova të heqë taksën ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, raportojnë mediat serbe.

Normalizimi i raporteve është kusht edhe për Serbinë, edhe për Kosovën që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian.

McAllister takoi edhe ministren për Integrime Evropiane të Serbisë, Jadranka Joksimoviq.

Edhe kjo e fundit tha se Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun me Kosovën, sapo të hiqet taksa ndaj mallrave serbe.

Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina qysh në nëntor të vitit të kaluar.

Eurodeputeti McAllister po qëndron në Serbi për herë të parë në cilësinë e kryesuesit të Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian.

Ai më parë ka shërbyer si raportues i PE-së për Serbinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG