Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Qeverisë në dorëheqje të Kosovës, Valdrin Lluka ka njoftuar të hënën se është takuar me zyrtarë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe ata të kompanisë gjermane, Detecon International GmbH, lidhur me privatizimin e Telekomit të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës është e interesuar të privatizojë pjesën vendimmarrëse të Telekomit, rreth 51 % duke qëndruar aksionarë për pjesën tjetër dhe kështu do të ndikojë në përmirësimin e kualitetit të operimit, e gjithashtu do të ndikojë në zvogëlimin e humbjeve dhe njëkohësisht do të rrisë efikasitetin e Telekomit”, është cituar të ketë thënë Lluka në takim.
Ai ka thënë edhe se BERZH-i ka përzgjedhur kompaninë Detecon, degë e kompanisë Deutche Telekom, që të përgatisë Telekomin për privatizim, për periudhë pesëmujore.
Telekomi i Kosovës i është nënshtruar dy herë procesit të privatizimit mirëpo asnjëri prej tyre nuk është finalizuar me sukses.
Kjo kompani është futur në krizë të thellë financiare për shkak të borxheve të shumta. Njëri prej tyre kap vlerën e më shumë se 25 milionë eurove ndaj operatorit telefonik, Z-Mobile.
Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës.