Ndërlidhjet

PSD konfirmon koalicionin parazgjedhor me AAK-në


Shpend Ahmeti.
Shpend Ahmeti.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, ka konfirmuar marrëveshjen për koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai ka thënë në një konferencë të përbashkët me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj se në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, këto dy parti do të garojnë në një listë zgjedhore, derisa kandidati për kryeministër do të jetë nga radhët e AKK-së.

“Pas negociatave që kemi pasur ndërmjet dy subjekteve tona, kemi arritur marrëveshje që në zgjedhje të ardhshme, PSD-ja dhe AAK-ja do të garojnë bashkë. Ky është një bashkëpunim edhe politik edhe zgjedhor, duke marrë parasysh disa vija të bashkëpunimit që i kemi pasur edhe në vitet e kaluara, por që janë zgjeruar në fusha të tjera, me të cilat do të garojmë bashkë me një program të përbashkët qeverisës”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkohë Haradinaj ka thënë se në bisedimet për koalicione nuk kanë mbaruar këtu.

“Sot është përmbyllja e një pune të përbashkët, jo të lehtë. Kjo punë ka pasur për bazë qëllimet programore të PSD-së dhe AAK-së dhe kemi arritur që të bashkojmë ekspertizat më të mira që kemi në parti. Jemi të hapur për bashkëpunim me Nismën, AKR-në me këto parti që kemi edhe një komunikim të ndërsjellë. Nuk synojmë PAN 2 apo PAN 3, nuk jemi pjesë e skenarëve për një PAN të ri dhe këtë e themi me përgjegjësi”, ka thënë ai.

AAK-ja voton për koalicion parazgjedhor me PSD-në

Më herët gjatë ditës, për këtë marrëveshje është arritur pajtueshmëri edhe brenda Këshillit Drejtues të AAK-së.

Diskutimet për koalicion dhe zgjedhje të parakohshme kanë nisur pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës më 19 korrik të këtij viti.

Ai ka marrë këtë vendim pas ftesës që i është bërë për intervistim nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit.

Si pasojë e kësaj situate, Kuvendi i Kosovës do të mbajë të enjten një seancë të jashtëzakonshme, ku pritet të bëhet shpërndarja e legjislaturës aktuale.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG