Ndërlidhjet

Në QKUK vendosen Pejsmejker në zemër pas dy vitesh mungesë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën Kardiologjike, gjatë këtij viti tek pacientët janë vënë pajisje në zemër, të quajtura ICD dhe Pejsmejker, implantime automatike që bëjnë konvertimin e ritmit të zemrës.

Ndonëse dy vitet e kaluara, këto pajisje i kanë paguar vetë pacientët, në mungesë të tyre, gjatë këtij viti, Imri Jashari, drejtor i Klinikës Kardiologjike, tha se tek 54 pacientë kanë vendosur Pejsmeker, dhe tek 11 të tjerë ICD.

Ndryshe sëmundjet e zemrës janë më vrastaret në gjithë botën. Ndonëse nuk ka statistika të sakta as për sëmundjen e as vdekshmërinë, Jashari, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se bazuar në të dhënat botërore, vdekshmëria nga sëmundjet e zemrës është rreth 50 për qind.

“Në Klinikën Kardiologjike janë afër 60 shtretër me 22 kardiologë dhe 55 infermiere. Është njësia koronare me dy reparte me sëmundje kronike të zemrës".

Brenda një kujdestarie të vikendit, ka ndodhur që të kemi deri në 40 pranime të pacientëve me hospitalizim. Kjo tregon për dinamikën e jetës dhe shkallën e sëmundjes dhe vdekshmërisë si pasojë e zemrës ka bërë që vdekshmëria të jetë 50 për qind, pra edhe prin si sëmundje. Sëmundjet e zemrës paraqesin grupin e sëmundjeve që duhet t’i kushtohet rëndësi, pa i anashkaluar sëmundjet tjera, por kjo paraqet vdekshmërinë më të lartë”, thotë Jashari.

Pacienti M. M, 70 vjeçar, thotë se para tre vjetësh ka vendosur pejsmeker në zemër, pas problemeve me ritmin e zemrës që kishte.

Ai thotë se ndonëse kishte kërkuar ndihmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ishte referuar në institucione private, në mungesë të këtij aparati.

“Kam kërkuar ndihmë në spital, por më kanë thënë se nuk kanë pejsmeker. Më pas këtë procedurë e kam kryer në njërin nga spitalet private të zemrës. Kam paguar rreth 4 mijë e 500 euro për këtë shërbim. Nuk e di tash a janë furnizuar apo jo, në Klinikën Kardiologjike, por shpresoj që po, meqë është e kushtueshme dhe e papërballueshme për qytetarë që kanë nevojë për të’’, tha Maxhuni.

Sipas Jasharit, në këtë klinikë tani nuk ka listë të pritjes.

Klinika e Kardiologjisë, tash e disa vjet funksionon si e vetme, e ndarë nga Kardiologjia Invasive dhe ajo kardiokirurgjike, e që të gjitha këto klinika trajtojnë pacientët me probleme në zemër.

Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Basri Sejdiu, njëherësh kardiolog se me ndarjen e Klinikës së Kardiologjisë nga ajo e Kardiologjisë Invazive dhe Kardiokirurgjisë, gjërat kanë ecur në të mirë të pacientëve.

“Pacientët kanë qenë vetëm transit në QKUK. Po të kthehemi në të kaluarën, kur këto klinika kanë qenë bashkë, dhe ka ardhur pacienti me infarkt akut, krejt çka është bërë ka qenë mbledhja e tre nënshkrimeve dhe referimi në spitale private. Ata kanë paguar mjete marramendëse, por edhe shtetit i ka kushtuar shumë , pasi i ka mbuluar rastet e caktuara. Tash është ndryshe. Kemi filluar edhe trajtimin e infarktit akut brenda 120 minutave, e që as regjioni nuk e ka këtë mundësi.

Rreth 12 milionë euro janë kursyer prej kur funksionon Kardiologjia Invazive me Kardiokirurgji. Vetëm një pacient më herët ka paguar për një stentë ka qenë çmimi rreth 8 mijë euro, derisa një stentë, blihet me rreth 150 euro nga shteti, dhe pacientët i marrin trajtimet këtu,” tha Sejdiu.

Sipas profesionistëve shëndetësorë, aparati pejsmejker, është kombinim nga çipa kompjuteri dhe baterie, të cilët mund të programohen, montohet në kraharor menjëherë nën ashtin kyç nën lëkurë. Telat specialë futen në venat e zemrës nën ashtin kyç. Pastaj, kabllot lidhen deri te sistemi i baterive.

Kjo procedurë zgjatë, 1-2 orë nën anestezion lokal dhe llogaritet si intervenim minimal. Pacienti qëndron në spital 1 deri në 2 ditë pas intervenimit të kryer në sallë.

Ndërkaq, aparati tjetër me emrin ICD, është pajisje e programuar që shënon ngadalësimin e zemrës dhe aritmi potenciale në rrezik. Pajisja automatikisht e diagnostikon dhe korrigjon aritminë me elektroshok të papritur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG