Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës shpërndahet më 22 gusht


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka bërë të ditur se seanca për shpërndarjen e Kuvendit do të mbahet më 22 gusht.

Vendimi u mor në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare.

Shpërndarja e Kuvendit të Kosovës i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradianj.

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se Kuvendi i Kosovës do të shpërndahet, por që para këtij procesi do të miratohet marrëveshja ndërkombëtare e Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA).

“Ne u dakorduam të gjithë se bashku që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të rregullta të përgatitura mirë, të gjitha institucionet të marrin detyrat e tyre të gjithë u pajtuam në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit që me datën 22 gusht 2019 në ora 10:00 të shpërbëhet Kuvendi dhe pastaj të ndiqen të gjitha procedurat e rregullta sipas Kushtetutës për të çuar vendin në zgjedhje, po ashtu u dakorduam që para shpërbërjes së Kuvendit ta miratojmë marrëveshjen ndërkombëtarE IPA e cila Kosovës i sjell rreth 100 milionë euro për projekte të ndryshme të dakorduara me Bashkimin Evropian”, tha Hoti.

Ndërkohë, Kadri Veseli kryetar i Kuvendit të Kosovës, theksoi se e vetmja zgjidhje në situatën e krijuar politike në vend janë zgjedhjet.

Caktimi i seancës së shpërndarjes së Kuvendit, shtoi Veseli, i jep mundësi presidentit të Kosovës HashimThaçi që të caktojë datën e zgjedhjeve.

“E vetmja zgjidhje kur ka dilema apo situata çfarëdo qofshin ato janë qytetarët e vendit tonë, pra janë zgjedhjet. Zgjedhjet nuk janë vetëm opsion apo alternativë, por i jep drejtim dhe është vendim i duhur për qytetarët dhe vendin tonë. Ky vend ka nevojë për vendosmëri dhe për të ecur përpara”, theksoi Veseli.

Bilall Sherifi nga partia Nisma Socialdemokrate, tha se Kosova ka nevojë që këto zgjedhje të mbikëqyren nga misionet vëzhguese ndërkombëtare.

“Arsyeja se pse është vendosur të jetë data 22 gusht dhe jo menjëherë ka të bëjë edhe me rekomandimet e BE-së se ju nevojitet më shumë kohë për të përgatitur misionin vëzhgues që do ta dërgojnë në Kosovë. Nëse nesër do të shpërbëhej Kuvendi dhe 15 shatori do të ishte data e zgjedhjeve atëherë do të kishte vështirësi në përgatitjen e misionit vëzhgues për të dërguar në Kosovë”, theksoi Sherifi.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu në një postim në rrjetin social Facebook ka theksuar se caktimi i seancës për shpërndarjen e Kuvendit është e largët.

Ajo ka shkruar se propozimi i Vetëvendosjes në mbledhjen e kryesisë ishte që seanca të mbahet me datë 8 ose 14 gusht.

“Caktimi i seancës për shpërbërjen e Kuvendit me datë 22 duket shumë i largët për dy arsye të paktën. Së pari për shkak të nevojave që ka vendi për shkuarjen sa më parë në zgjedhje dhe së dyti për shkak mundësisë që subjektet tjera të futen në pazare për qeveri teknike ose mandatar të ri pa zgjedhje”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Pas vendimit të Kryesisë së Kuvendit për të mbajtur seancë me 22 gusht për shpërndarjen e vendit, kryeministri në dorëheqje Ramush Hardinaj përmes një postimi në Facebook e ka quajtur veprim të duhur dhe konform ligjeve dhe Kushtetutës së vendit.

“Ky vendim, do t’i hap rrugë procesit zgjedhor në vend, si opsion i vetëm dhe i domosdoshëm. Po ashtu, është për t’u përshëndetur vendimi i kësaj kryesie, që para shpërbërjes, Kuvendi të votojë për Marrëveshjen Ndërkombëtare IPA2, nga e cila Kosova fiton rreth 90 milionë euro fonde nga BE. Kthimi i mandatit te sovrani dhe zgjedhjet e lira dhe demokratike, janë jetike për vendin dhe për proceset e rëndësishme që na presin”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 19 korrik, meqë kishte marrë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.

Pas kthimit nga Haga, Haradinaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me kërkesën për “definimin e kompetencave dhe funksionit të qeverisë, pas dorëheqjes së tij. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka afat ligjor prej 60 ditësh për t’i dhënë një përgjigje kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG