Ndërlidhjet

Shkup: Regjistrimi i popullsisë duhet të ndodhë me ndihmën e ndërkombëtarëve


Pushteti dhe opozita nuk po arrijnë t'i tejkalojnë dallimet rreth ligjit të ri në bazë të së cilit duhet të realizohet regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

Në bazë të propozim-ligjit të Qeverisë, regjistrimi i popullsisë, banesave dhe amvisërive në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të realizohet në prill të vitit të ardhshëm dhe për realizimin e këtij procesi janë paraparë të shpenzohen 8 milionë e 500 mijë euro.

Naser Ziberi, njohës i çështjeve politike, duke komentuar dallimet e pushtetit dhe opozitës lidhur me procesin e regjistrimit të popullsisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedonia e Veriut nuk do të mund të realizojë këtë proces pa ndihmën e faktorit ndërkombëtar.

“Në Maqedoninë e Veriut në një kohë relativisht të afërt vështirë se do të mund të depolitizohet ky proces dhe nuk jam optimist se Maqedonia e Veriut ndonjëherë do të ketë cenzus për një proces të regjistrimit i cili do të jetë i besueshëm, kredibil dhe i pranueshëm nga të gjitha palët nëse nuk kyçet faktori ndërkombëtar siç ishte rasti në të kaluarën, kur në vitin 1994 procesi i regjistrimit të popullsisë u monitorua nga misioni i OSBE-së dhe Eurostatit”

”Maqedonia e Veriut ka nevojë për ndihmë ndërkombëtare për të fituar shifra të besueshme kredibile të cilat do të jenë në shërbim të zhvillimit të ardhshëm dhjetëvjeçar”, thotë Ziberi.

Ligjit për regjistrimin e popullsisë, i cili tanimë ka hyrë në procedurë parlamentare, si shtyllë kryesore ka transparencën në procedurat gjatë zbatimit të regjistrimit, neutralitet dhe objektivitet në të gjitha fazat e procesit, pavarësi profesionale të organeve kompetente dhe shfrytëzim të bazave shkencore në qasjen metodologjike dhe përgatitjen e rezultateve, si dhe besueshmëri dhe mbrojtje të të dhënave individuale.

Por, opozita maqedonase VMRO DPMNE, kërkon që procesi i regjistrimit të shtyhet për një vit sepse siç kanë theksuar, kjo përbërje qeveritare nuk është e aftë të realizojë të njëjtin.

Por, njohësit e çështjeve politike thonë se kërkesa e opozitës është politike dhe nuk përkon me proceduarat e Eurostatit.

“Procesi i regjistrimit nuk duhet parë si vegël politike në raport me organizimin e zgjedhjeve të ardhshme. Regjistrimi I popullsisë është me interes jetik për politikat shtetërore. Nuk mundet që VMRO DPMNE apo Lidhja Social-demokrate e Maqedonisë ose cilado parti tjetër të përcaktojë afatin kohor apo standardet që atyre u konvenojnë“.

“Me rëndësi është realizmi i regjistrimit të popullsisë për faktin se ai do të tregojë se sa është reale lista zgjedhore prej 1 milion e 800 mijë votues”, thotë Nikolla Dujovski, njohës i çështjeve politike.

Njohësit e çështjeve politike theksojnë se për të pasur një pasqyrë të saktë për trendet ekonomike dhe sociale si dhe shumë çështje tjera është me shumë rëndësi realizmi i procesit të regjistrimit.

Fillimisht, rreth regjistrimit të popullsisë ishte propozuar që të jetë pa grafikën e përkatësisë etnike, ide e cila u propozua nga Enti Shtetëror për Statistika, ndërsa më pas qeveritarët thanë se në regjistrimin e popullsisë që pritet të bëhet në vitin 2020, do të jetë edhe përkatësia etnike.

Naser Ziberi thotë se procesi i regjistrimit të popullsisë krahas aspektit statistikor në vete ka dhe atë politik si shtyllë shumë të rëndësishme.

“Dy etnitë shtyllë të sovraniteti të shtetit, maqedonasit etnik dhe shqiptarët etnik tërë kohën pretendojnë se njëra palë është dominuese dhe tjetra pretendon se është në numër më shumë sesa që prezantohet. Kjo është një dhe e dyta regjistrimi si proces problematizohet sepse elementet statusore etnike të popullatës në Maqedoninë e Veriut janë të lidhura për përqindjen përkatësisht për prezencën e tyre numerike në shtet.

Kjo garë mes këtyre dy etniteteve shndërrohet në proces politik nga partitë politike në vend dhe sidomos nga ata në opozitë të cilët shpesh herë dinë që procesin e numërimit, përkatësisht cenzusin ta shndërrojnë në agjendë politike për ta konvertuar këtë më pas në vota në zgjedhjet e ardhshme”, thotë Ziberi.

Në bazë të propozimit të qeverisë, regjistrimi i popullsisë në vitin e ardhshëm do të zbatohet me të ashtuquajturën metodë e kombinuar, përdorimi i të dhënave nga baza para-regjistruese dhe grumbullimi i të dhënave në terren, respektivisht regjistrimi personal i të gjitha njësive në regjistrim.

Procesi i regjistrimit në Maqedoninë e Veriut është realizuar për herë të fundit në vitin 2002.

Ndërsa, procesi i njëjtë dështoi që në nisje në vitin 2011 për shkak të mosmarrëveshjeve që dolën në mesin e anëtarëve të Komisionit për Regjistrim rreth metodologjisë së përdorur gjatë regjistrimit në terren, përkatësisht përfshirjes ose mospërfshirjes në regjistrim të atyre që janë me punë të përkohshme jashtë vendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG