Kur Lendita Berisha, 24 vjeçare theu këmbën, ajo mendoi se shërimi do të bëhej në Klinikën kryesore ortopedike në Prishtinë.
Por, ajo mbeti e zhgënjyer me kushtet aty dhe i është dashur të shkojë në një klinikë private. I gjithë shërimi i kushtoi asaj 700 euro.
‘’Ne Klinikën e Ortopedisë mund të them që kushtet nuk janë aspak të mira. Unë e theva këmbën në rrugë, u rrëzova edhe përpos gipsit që e kom vendos në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, asnjë shërbim tjetër aty nuk kam mundur të marrë. Si përfundim është dashur të shkojë në një klinikë private. Komplet shërbimet si fizioterapia edhe magnetoterapia edhe kontrollet tjera kanë kushtuar diku rreth 700 euro më ka kushtuar në klinikë private,’’ tha Berisha.
Klinika e Ortopedisë përballet me kushte të rënda të punës. Shumë mjete të punës në salla operacioni janë jashtë përdorimit, derisa të tjerat që përdoren janë shumë të vjetruara.
Xhemajl Selmani, ortoped që punon në këtë klinikë, thotë se fluksi i pacientëve gjatë sezonit të verës është shtuar, për shkak të rritjes së numrit të aksidenteve në komunikacion.
“Aktualisht në Klinikën e Ortopedisë po punojmë në kushte të rënduara, dhe nuk kemi material të nevojshëm si implante p.sh që ne punojmë me to. Pajisjet e punës janë amortizuar, dhe disa tashmë kanë dalë nga përdorimi. Ne si klinikë po improvizojmë”, thotë Selmani.
“Tashmë në sezonin e verës fluksi është i shtuar sidomos me pacientë të aksidentuar.
Kemi filluar të punojmë qe një vit 24 orë në ditë, dhe kjo po na ndihmon që rastet të mos grumbullohen dhe ato emergjente të kryhen”, thotë ai.
Edhe Shpend Fazliu, zëdhënës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se aktualisht klinika e ortopedisë është duke punuar në kushte jo të favorshme.
Por, ai thotë se kësaj klinike do t'i shtohen kapacitete për 100 për qind, me projektin e ri, që siç thotë ai, do të nis në dy vitet e ardhshme.
“Klinika e Ortopedisë bashkë me Traumatologji është klinikë që është investuar pak që nga paslufta. Andaj tashmë është marrë me prioritet nga QKUK, që të bëhen investime në këtë klinikë dhe parashihet që përmes investimeve kapitale do të përfshihen katër salla operative me rreth 26 dhoma me 52 shtretër me 3120 metra katrorë shtesë. Pra, do të jetë shtim i kapaciteteve diku për 100 për qind. Kjo parashihet të realizohet në dy vitet e ardhshme.
Është projekt kapital dhe procedurat e tenderimit janë kryer të gjitha dhe pritet të fillojë aneksi i kësaj klinike’’, tha Fazliu.
Ndërkaq, Selmani tutje shton se shumë pacientë me probleme ortopedike deri vonë shërbimet i kanë marrë jashtë vendit.
Por, sidomos vitin e fundit, klinikat private i kanë përsosur kushtet dhe pacientët trajtimet i marrin në klinika private brenda Kosovës, por që duhet paguajnë shuma të mëdha parash.
Shuma e parave që qytetarët e Kosovës po shpenzojnë për trajtim jashtë vendit ka arritur në 200 milionë euro në vit. Këto shifra i ka dhënë në vazhdimësi kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, duke potencuar faktin se çdo vit kjo dukuri po shënon rritje.
“Banka Botërore ka dalë me raport, ku thuhet se mbi 100 milionë euro në vit shpenzohen nga qytetarët jashtë vendit për trajtime mjekësore. Por, ne konsiderojmë se edhe 100 milionë të tjera dalin jashtë Kosovës për të njëjtën gjë”, ka thënë Syla.
Buxheti total i ndarë për shëndetësi në Kosovë për këtë vit është rreth 220 milionë euro.
Qeveria e Kosovës ndan rreth 5 milionë euro, ose 30 mijë euro per pacient, për shërim jashtë Kosovës nëse ajo sëmundje nuk mund të trajtohen brenda shtetit.