Ndërlidhjet

Partitë fillojnë fushatën pa nisur fushata


Fotografi nga arkivi - Nga fushata për zgjedhjet e vitit 2017
Fotografi nga arkivi - Nga fushata për zgjedhjet e vitit 2017

Partitë e mëdha politike në Kosovë kanë nisur fushatën parazgjedhore ende pa e ditur se si do të veprohet pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit.

Aktualisht, në kuadër të institucioneve të Kosovës nuk ka ndonjë nismë zyrtare se si do të veprohet.

Janë dy opsione që qarkullojnë: zgjedhjet e parakohshme apo formimi i një qeverie të re deri në përfundimin e mandatit kushtetues të institucioneve aktuale.

Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, që monitoron partitë politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se në një formë në Kosovë ka filluar fushata parazgjedhore për zgjedhjet eventuale të jashtëzakonshme që mund të mbahen në Kosovë.

“Ne vetëm kemi parë gjatë kësaj jave që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë ka filluar me krijimin e shtabit zgjedhor dhe kjo i bie si parapërgatitje për zgjedhje dhe takimet që janë duke u zhvilluar në terren nga ana e liderëve të partive politike dhe kjo mund të kuptohet si pjesë e fushatës parazgjedhore, akoma pa u shpallur dita e zgjedhjeve”, thotë Demhasaj.

Partitë politike parlamentare, kryesisht ato më të mëdha, i kanë shpeshtuar takimet me elektoratin e tyre ditëve të fundit. Liderët e partive politike zakonisht marrin pjesë në takime të tilla.

Shpend Emini, drejtor ekzekutiv i organizatës Demokraci për Zhvillim, tha për Radion Evropa e Lirë se partitë politike tashmë janë parë duke bërë fushatë parazgjedhore nëpër komuna të ndryshme.

“Fushatën parazgjedhore vetëm se e kanë filluar disa nga partitë politike. Është parë se subjektet e partive politike kanë grumbulluar struktura e tyre nëpër komuna, kanë qenë edhe liderët, të cilët kanë vizituar degë të partive të tyre dhe kanë angazhuar strukturat e tyre që të fillojnë fushatën jozyrtare zgjedhore, pa marrë parasysh se ende nuk është vendosur se a do të kemi zgjedhje. Po ne, si shoqëri civile, presim që partitë të mos i përdorin burimet publike në fushatën parazgjedhore”, thotë Emini.

Pothuajse asnjëra legjislaturë në Kosovë nuk ka arritur të përfundojë mandatin kushtetues katërvjeçar, çka ka ndikuar që vendi të shkojë në vazhdimësi në zgjedhje të parakohshme.

Mesatarja e një mandati qeverisës në Kosovë nuk ka arritur të jetë më shumë se dy vjet e gjysmë. Zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare janë mbajtur në qershor të vitit 2017

Fushatat e kushtueshme

Fushatat e partive politike, kujton Demhasaj, janë shumë të kushtueshme. Ai thotë se nëse merren për bazë zgjedhjet e fundit të 11 qershorit 2017, partitë politike kanë shpenzuar miliona euro dhe se jo të gjitha shpenzimet e fushatave zgjedhore deklarohen nga partitë politike.

Në bazë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partitë politike nuk mund shpenzojnë më shumë para se 0.50 cent për votues. Por, që sipas Demhasaj kjo tejkalohet. Ai thotë se partitë politike bëjnë shpenzime shumë më të mëdha financiare, krahasuar me mjetet që atyre u ndahen nga buxheti i Kosovës çdo vit.

“Ne kemi bërë një matje në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kemi parë që të dy koalicionet Partia Demokratike e Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia NISMA, si dhe koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativa kanë shpenzuar dyfishin më shumë para se sa që është e lejuar. Të gjitha partitë politike, dy koalicionet së bashku me Vetëvendosjen kanë qenë rreth 4 milionë euro që janë shpenzuar në fushatat zgjedhore të partive politike”, thotë Demhasaj.

Në vit, partive politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës nga buxheti i Kosovës, u ndahen më shumë se 4 milionë euro Kjo shumë atyre u ndahet më pas mbi bazën e përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.

Përveç mjeteve që u ndahen nga buxheti i Kosovës, partitë politike thuhet se financohen edhe nga burime tjera, që sipas Shpend Eminit, nga organizata Demokraci për Zhvillim, nuk dihet se kush janë, pasi që nuk bëhen transparente.

“Nuk ka pasur ndonjë vlerësim të asaj se sa para janë përdorur nga partitë politike dhe nga cilat burime kanë ardhur, por është parë se kanë shpenzuar para të shumta në fushatat zgjedhore. Ajo çka presim nëse do të kemi zgjedhje në Kosovë, është që partitë politike t’i bëjnë publike të gjitha burimet e tyre dhe të ketë një ndarje të barabartë për të gjithë kandidatët”, thotë Emini.

Ndryshe, financimi transparent i partive politike është kërkesë edhe e Bashkimit Evropian dhe përsëritet nëpër Raportet e Progresit që publikon Komisioni Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG