Ndërlidhjet

Pse përgjigjja zyrtare ndaj protestave në Moskë mund të jetë pikë kthese?


Protestat në Moskë
Protestat në Moskë

Pamjet nga rrugët e Moskës, fundjavën e kaluar, ishin mjaft të njohura.

Forcat speciale, veshur me helmeta, maska të zeza dhe çizme, qëllonin protestuesit me shkopinj; disa i fusnin në automjete të blinduara.

Demonstruesit, shumica në pantallona të shkurtra, bluza e atlete, regjistronin me telefona mobilë dhe thirrnin slogane të ndryshme.

Policia ruse ndalon protestuesit në Moskë
Policia ruse ndalon protestuesit në Moskë

Por, diçka ndryshe ka qenë më 27 korrik dhe pyetjet që shtrohen janë: çfarë saktësisht, përse tani dhe çfarë pason?

Gati 1,400 njerëz janë ndaluar gjatë protestave në Moskë, të cilat janë nxitur nga aktvistët politikë liberalë që synojnë të garojnë në zgjedhjet për këshillin e kryeqytetit, më 8 shtator.

Disa nga brohoritjet e dëgjuara shprehnin dëshira si: “Rusia pa Putinin” dhe “Rusia do të jetë e lirë”.

Me javë të tëra, janë grumbulluar dëshmi se autoritetet zgjedhore po bëjnë përpjekje për të gjetur pretekste për të mos lejuar kandidimin e kandidatëve opozitarë, liberalë ose thjesht të pavarur.

Aktivistët e opozitës - Aleksei Navalny, Leonid Volkov, Lyubov Sobol dhe Ilya Yashin - kanë thirrur protesta për të shprehur pakënaqësinë publike për këtë.

Por, autoritetet e Moskës ua kanë bërë të qartë para kohe: Mos e bëni një gjë të tillë! Dhe, protestuesit janë ndëshkuar rëndë.

Sipas disa llogaritjeve, kjo ka qenë dhuna më e keqe që nga vala e protestave më 2011-2012. Atëbotë, zemërimi ka pasur të bëjë me provat për mashtrim në zgjedhjet parlamentare dhe me planet e Vladimir Putinit për t’u kthyer në presidencë.

Shumë prej atyre protestave janë mbajtur në Sheshin Bolotnaja të Moskës, përfshirë një që ka shpërthyer në dhunë midis protestuesve dhe policisë. Dhjetëra njerëz janë ndjekur penalisht në atë që është bërë i njohur si Rasti Bolotnaja.

Ashpërsia e befasishme

Për vëzhguesit e Kremlinit, reagimi luftarak i policisë në fundjavë nuk ka qenë befasi. Ashpërsia ka qenë, ashtu si edhe numri i pjesëmarrësve në protestë, pavarësisht sinjaleve se mund të ketë reagim të vrazhdë nga policia.

Për analisten politike, Liliya Shevtsova, reagimi më shumë se gjithçka është një sinjal se ku janë kufijtë për Kremlinin. Dhe këta kufij e kanë zanafillen në vendimet e liderit sovjetik, Mikhail Gorbachev, në vitet 1980 dhe perceptimin se politikat e tij kanë çuar në prishjen e vendit.

“Kremlini e kujton mirë epokën e Gorbachevit: Hapeni dritaren pak dhe ata do ta hapin gjithë derën”, ka shkruar Shevtsova në një koment të publikuar në ueb-faqen e radio-stacionit Ekho Moskvy.

Shifrat e pjesëmarrësve në protestat e fundjavës sillen nga 3,500 deri në 20,000, varësisht se kush i bën numërimet: zyrtarët apo grupet opozitare.

Një javë më herët, një protestë e ngjashme në Moskë ka mbledhur mbi 22,000 njerëz sipas organizatorëve dhe ka qenë më e madhja që nga vitet 2011-2012.

Vladimir Gelman, i cili ligjëron në Universitetin Evropian në Shën Petersburg, ka thënë se pjesëmarrja ishte më e madhe seç prisnin autoritetet dhe se reagimi i ashpër ka qenë reflektim i faktit që janë zënë në befasi.

Siç lë të kuptohet Shevtsova, çështja nuk është se kush do të garojë në zgjedhjet lokale në Moksë, apo nëse policia ka të drejtë të godasë njerëzit, apo nëse rusët kanë të drejtë të mblidhen paqësisht.

Sipas saj, çështje janë gati 20 vjetët e Putinit si figura kryesore politike e Rusisë dhe ajo që do të pasojë pas përfundimit të mandatit të tij presidencial më 2024.

Pasiguritë që kanosen

Nuk është ende e sigurt nëse Putin do të përpiqet ta ruajë autoritetin apo kush do ta pasojë nëse nuk e bën një gjë të tillë.

Falë procesit koreografik zgjedhor dhe kontrollit të Kremlinit mbi mediat, Putin është zgjedhur me shumicë dërrmuese president në mars të vitit 2018.

Por, popullariteti i tij është dëmtuar nga stagnimi i pagave, rritja e moshës së pensionimit, neveria me partinë Rusia e Bashkuar dhe pakënaqësitë me procesin politik, veçanërisht në nivelin lokal.

Kjo e komplikon krijimin e një plani pasardhës ose të një plani të pas-Putinit. Imazhet e policisë duke i bllokuar protestuesit që ushtronin një të drejtë të garantuar me kushtetutë e bëjnë atë edhe më të ndërlikuar.

E, ajo që i bën gjërat edhe më keq është se Navalny dhe grupe të tjera opozitare po arrijnë të përçojnë mesazhet e tyre, edhe pse Kremlini ua ka bllokuar qasjen në televizionin shtetëror.

Tatyana Stanovaya, analiste që drejton një organizatë këshilluese të quajtur R.Politik, ka thënë se përgjigjja e policisë gjatë fundjavës duket se sugjeron se Kremlini po humb përballë opozitës.

“Kremlini duket se nuk e di çfarë të bëjë me opozitën anti-regjim, që ka kapacitet të organizojë protesta në rrugë”, ka shkruar ajo në një koment të publikuar nga Qendra Carnegie në Moskë.

“Shtypja e tanishme dhe një raund i ri i ndjekjeve penale të aktivistëve janë bast i qartë për një skenar më të ashpër”, ka thënë Stanovaya.

Qeveria, sipas saj, është e hutuar dhe "një konfuzion i tillë brenda qeverisë është rezultat i faktit se nuk ka asnjë mënyrë të lehtë për të dalë nga kriza aktuale".

Rusia ka hyrë në një periudhë të pasigurisë serioze, ka thënë ajo.

Grupet e opozitës po përpiqen të mbledhin mbështetje për një protestë tjetër në rrugë brenda një jave.

Autoritetet, ndërkaq, po mbajnë seanca gjyqësore për disa prej të arrestuarve, kryesisht nën akuzat për kundërvajtje dhe shkelje administrative.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG