Ndërlidhjet

Projektet kapitale të Qeverisë Haradinaj kthehen në pikën zero


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës. Fotografi ilustruese.
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës. Fotografi ilustruese.

Projektet kapitale të parashikuara të zbatohen nga Qeveria aktuale e Kosovës nuk do të mund të realizohen përderisa kjo qeveri është në dorëheqje. Autostrada që lidh qytetet Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë dhe Prizren, apo si njihet ndryshe “Autostrada e Dukagjinit” si dhe autostrada tjetër Kievë – Zahaq, që lidh Prishtinë me Pejën, janë projekte që do t’i barten Qeverisë së ardhshme të Kosovës, qoftë ajo e krijuar në këtë mandat apo qeveri që do të formohet pas zgjedhjeve eventuale të parakohshme.

Po ashtu një projekt mjaft i rëndësishëm në aspektin energjetik, siç është Termocentrali “Kosova e Re”, ndonëse për këtë projekt tani është nënshkruar kontrata mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Contour Global”, besohet se mund të zvarritet.

Përfaqësuesit e bizneseve rikujtojnë se çdo herë kur Kosova ka shkuar në zgjedhje të parakohshme, ekonomisë së vendit i janë shkaktuar efekte negative.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë, se ndërrimi i shpeshtë i qeverive dy apo tre vjet pa kryer mandatin qeverisës, rritë pasigurinë politike dhe krijon paparashikueshmëri në të bërit biznes.

“Për momentin jemi në një situatë ku Qeveria është në dorëheqje, por megjithatë vazhdon të ushtrojë të gjitha funksionet qeverisëse. Pasojat e kësaj situate dhe situatës tjetër të mundshme kur vendi do të përballej me zgjedhje, është rritja e pasigurisë politike e cila frikëson dhe dekurajon investitorët potencialë. Në të njëjtën kohë, të gjitha nismat ligjore i kthen në pikën zero, që do të thotë vonesa në plotësim-ndryshimin e ligjeve të ndryshme që afektojnë sektorin privat dhe biznesin”, thotë Zeka.

Edhe projekti i Termocentralit “Kosova e Re”, do të hasë në vonesa, thekson Zeka, duke shtuar se vonesa mund të kenë edhe një sërë aplikacionesh të tjera të investitorëve që janë dorëzuar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për të fituar statusin e investitorit strategjik.

“Duhet bërë të qartë që koha për bizneset është më e rëndësishme, bizneset nuk e kanë durimin dhe interesimin që të ballafaqohen me vonesa qoftë ato burokratike, qofshin ato të situatës që lidhet me gjendjen politike që është për momentin. Çdo vonesë e trajtimit të aplikacioneve të tyre, ata i dekurajon dhe ndikon në marrjen e vendimeve për investime në Kosovë”, thotë Zeka.

Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë pati thënë se nuk ka arsye që të ketë ngecje në projektet e nisura.

“Deri sa nuk është i shpërndarë Parlamenti, ne ushtrojmë funksionet tona. Nëse shpërndahet Parlamenti, atëherë nuk prodhojmë më për agjendë legjislative. Duhet pritur deri në konstituimin e Parlamentit të ri dhe të mos dërgohen në Parlament ligje, akte ose propozime, ndërsa puna e Qeverisë vazhdon si çdo qeveri deri në marrjen e formimin e Qeverisë së re, pra është praktikë te ne edhe në rastet e mëhershme edhe tash është e njëjta logjikë”, pati thënë Haradinaj.

Ndërkohë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi ka ngritur shqetësim për situatën e krijuar politike në vend. Ai ka thënë se kjo situatë do të ketë ndikime negative tek bizneset dhe në tërheqjen e investimeve të huaja.

“Kanë qenë ligjet më të rëndësishme tatimore në procedurë, kanë qenë shumë projekte dhe propozime të rëndësishme sidomos në nxitjen e investimeve direkte, ka pasur shumë aktivitet sa i përket rregullimit në sektorin e energjisë, ka pasur aktivitet edhe në sektorin e ndërtimit, kemi pasur një proces të avancimit të çështjes publiko- private, kemi pasur po ashtu fokus shumë më të madh në trajtimin e çështjes që lidhen me informalitetit dhe sigurisht ky zhvillim i ri politik, për të mos thënë pengesë, do të jetë një pauzë apo një ‘status quo’ për të gjitha këto çështje”, ka thënë Rukiqi.

Risku politik, ka shtuar Rukiqi është një ndër faktorët kyç që ndikon në vendimmarrjen e investitorëve për të investuar në Kosovë. Edhe Rukiqi ka theksuar se situatë e krijuar në Kosovë dhe zgjedhjet eventuale në vend do të kenë ndikim edhe në projektin e Termocentralit “Kosova e Re”.

“Sa i përket termocentralit kemi një aranzhim të kompanisë Contuar Global me Qeverinë në dorëheqje është një kontratë e nënshkruar që duhet të respektohet, por parakusht për të ecur tutje projekti është vendimmarrja në Kuvendin e Kosovës. Kuvendi ende nuk është shpërbërë, por që unë mendoj që deri në konstituimin e Parlamentit të ri nuk mund të presim zhvillime sa i përket termocentralit”, është shprehur Rukiqi.

Që prej shpalljes së pavarësisë së saj, më 2008, Kosova nuk ka pasur një Qeveri të qëndrueshme e cila e ka çuar deri në fund mandatin kushtetues prej katër vjetësh.

Në vazhdimësi, qeveritë e Kosovës, të përbëra nga koalicione partiake, kanë hyrë në mocione mosbesimi dhe janë detyruar të dorëhiqen, duke e futur Kosovën në cikle të parakohshme zgjedhore.

Ekonomia e Kosovës dhe projektet kapitale po pengohen nga ciklet e shpeshta të zgjedhjeve të cilat po ndodhin në vend. Edhe në situatën e tanishme kur vendi mund të përballet edhe me një palë zgjedhje të parakohshme, përfaqësues të bizneseve thonë se janë një numër i projekteve që do të shënojnë ngecje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG