Administrata Autonome e drejtuar nga kurdët në Sirinë verilindore po mban më shumë se 11 mijë gra dhe fëmijë të huaj, kryesisht anëtarë të familjeve të pjesëtarëve të grupit militant, Shteti Islamik. Ata po mbahen në kushte të tmerrshme dhe nganjëherë vdekjeprurëse në një kamp në shkretëtirë në Sirinë verilindore. Të paktën 7 mijë fëmijë janë nën moshën 12 vjeçare, thotë Human Rights Watch në raportin e saj të fundit.
Kjo organizatë thotë se gjendja e tmerrshme u konstatua pas tri vizitave të bëra në kampin Al-Hol. Sipas HRW-së, gjendja është shumë e rëndë pasi nëpër tenda kalojnë ujërat e zeza kurse personat që janë të ngujuar në këtë kamp, pijnë ujë të ndotur e në disa raste tanket e ujit kanë edhe krimba.
“Fëmijët po vdesin nga diarreja akute dhe infeksionet e ngjashme me atë të gripit, thanë grupet e ndihmës dhe menaxherët e kampeve”, thuhet në publikim e HRW-së.
Të paktën 240 fëmijë kanë vdekur rrugës apo pas mbërritjes në Al-Hol, sipas Kombeve të Bashkuara.
“Autoritetet nga kampi, i cili mbikëqyret nga kurdët, nuk duket se regjistrojnë vazhdimisht vdekjet, thanë anëtarët e grupeve të ndihmës ndërkombëtare. Grupet e ndihmës humanitare nuk dëshironin të identifikoheshin për shkak të frikës nga humbja e qasjes në Al-Hol”, thuhet në publikim.
Rojet e kampit Al-Hol nuk lejojnë gratë dhe fëmijët të largohen nga kampi, përveç kur janë në shoqërim për emergjenca të tilla, si intervenime kirurgjike që nuk janë në dispozicion në spitale e kampe.
Zyrtarët e administratës autonome kurde në Siri, i thanë Human Rights Watch se nuk e kanë ndërmend të ndjekin penalisht gratë dhe fëmijët që dyshohen për lidhjet e tyre me grupin militant, Shteti Islamik.
Të pyetur për statusin ligjor të grave dhe fëmijëve, ata përmes një deklarate të shkurtër me shkrim thanë se kur gratë dhe fëmijët u larguan nga zonat e mbajtura nga IS-i, u transferuan në Al-Hol për të punuar në dërgimin e tyre në vendet prej nga vijnë.
Kushtet janë të tmerrshme në të gjithë zonën Al-Hol, që mban 62,000 sirianë dhe irakianë në seksionet kryesore të kampeve, shumica prej tyre edhe gra dhe fëmijë të njerëzve të akuzuar si pjesëtarë të grupit militant Shteti Islamik (IS). Megjithatë, kushtet më të këqija janë në aneksin e 11 mijë të huajve jo-irakianë, thuhet në publikim e HRW-së.
Sipas kësaj organizate, Kazakistani, Uzbekistani, Taxhikistani, Rusia, Kosova dhe Turqia kanë organizuar kthimin në shtëpi të më shumë se 1.250 shtetasve që mbaheshin në verilindje të Sirisë dhe Irakut, shumica prej tyre fëmijë.