Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dhe do të mbetet përjetësisht e pastër dhe e drejtë, tha presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në një postim të tij në Facebook, duke theksuar se asnjë gjykatë, as vendore, as ndërkombëtare, nuk mund ta njollos atë.
"Me Jakup Krasniqin, me anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, komandantët e zonave dhe ushtarët që janë ftuar nga Gjykata Speciale, ne e kemi mbrojtur popullin dhe e kemi luftuar armikun deri në çlirimin e vendit tonë".
Thaçi thotë se si president, si bashkëluftëtar, e çmon gatishmërinë e të gjithëve që të bashkëpunojnë me drejtësinë.
"Duke bashkëpunuar me drejtësinë, ndihmojmë që të ngadhënjejë e vërteta për luftën tonë çlirimtare. Jam i bindur që, njëjtë sikurse në të kaluarën, sërish do të dalim fitimtarë. Pastërtia e luftës sonë do të dëshmohet përballë çdo gjykate", ka shkruar Thaçi.
Të shtunën, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka njoftuar se ka marrë ftesë për t'u paraqitur në Gjykatën Speciale për krime lufte në Hagë
Krasniqi ka bërë të ditur se do të paraqitet në Hagë javën e ardhshme, përkatësisht me 24 korrik.
Ndërkaq, të premten kryeministri i Kosvës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje pasi njoftoi se ka pranuar ftesë për tu paraqitur në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale në Hagë. Ftesë për t'u intervistuar në hagë ka marrë edhe një ish-komandant tjetër i UÇK-së, Bislim Zyrapi.