Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, ka takuar kongresistin, njëherësh kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, Eliot Engel.
Sipas një komunikate nga zyra e kryetarit të Kuvendit, gjatë takimit, kongresisti Engel ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë përkrah Kosovës në të gjitha proceset që ajo ka para vetes.
“Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe të punojë bashkë me Kosovën në proceset euro-integruese”, ka thënë Engel.
Në këtë takim, Veseli dhe kongresisti, Engel diskutuan edhe për nismën e kryeparlamentarit për dënimin e krimeve që Serbia ka kryer në Kosovë.
Kongresisti Engel, ka thënë se “kriminelët duhet të përgjigjen para drejtësisë për të gjitha krimet që kanë kryer ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë”.
Gjatë vizitës në SHBA, kryetari i Kuvendit ka takuar disa senatorë dhe kongresistë. Të martën, në forumin e liderëve parlamentarë të organizuar nga Kongresi Amerikan, në Washington, Veseli ka theksuar rëndësinë e njohjes së Kosovës nga vendet që ende nuk e kanë njohur.