Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shprehu keqardhje për pamundësinë që SHBA-ja t’i shiste Turqisë aeroplanët luftarakë F-35, pasi Ankaraja ka zgjedhur të blejë sistemin më të ri të mbrojtjes ajrore S-400 të Rusisë.
Duke folur për gazetarët, Trump nuk përmendi sanksionet që kërkohen ligjërisht të zbatohen, pasi Turqia filloi pranimin e dërgesave të pajisjeve ruse.
Presidenti Trump tha se ishte "jo e drejtë" që SHBA-ja anuloi shitjen e mbi 100 aeroplanëve në Turqi duke nënkuptuar se paraardhësi i tij, Barack Obama, duhet fajësuar, sepse SHBA-ja nuk arriti të shiste raketat Patriot.
Megjithëse, SHBA-ja filloi procesin e shitjes në Turqi, të një sistemi raketash “Patriot” më 2013, kjo marrëveshje kurrë nuk përfundoi, pasi Turqia filloi të kërkonte më shumë specifika të transferimit të teknologjisë, raporton CNN.
Në seancën e konfirmimit të Senatit për t'u bërë sekretar i Mbrojtjes, sekretari i Ushtrisë, Mark Esper tha se Turqia "nuk mund t’i ketë të dyja", pajisjet ruse dhe ato amerikane.
Turqia ka pranuar tri dërgesat e para të komponentëve të sistemit S-400 më 12 korrik dhe dërgesën e katërt një ditë më pas.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët konsiderojnë se sistemi S-400 nuk është në përputhje me sistemet e NATO-s dhe paraqet kërcënim për avionët luftarakë të tipit F-35.