Ndërlidhjet

Irani njofton se po e shkel sërish marrëveshjen bërthamore


Presidenti iranian, Hassan Rohani viziton centralin bërthamor në Bushehr. Foto nga arkivi.
Presidenti iranian, Hassan Rohani viziton centralin bërthamor në Bushehr. Foto nga arkivi.

Irani ka njoftuar se po rrit pasurimin e uraniumit përtej kufirit të vendosur në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Ky njoftim vjen një vit pasi presidenti Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja dhe vendosi sanksione ndaj Iranit.

Zëdhënësi i Qeverisë iraniane, Ali Rabiei u tha gazetarëve në Teheran se “sot ne do të tejkalojmë” nivelin e lejuar të pasurimit me uranium prej 3,67 për qind.

Ai tha se përqindja e re e pasurimit me uranium “do të bazohet në nevojat tona”, por nuk dha më shumë detaje.

Megjithatë, Teherani tha se të gjitha masat e ndërmarra nga autoritetet iraniane janë të "kthyeshme" dhe se shteti është i gatshëm ta respektojë marrëveshjen bërthamore, nëse shtetet evropiane që kanë nënshkruar marrëveshjen, përmbushin obligimet e tyre.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif ka shkruar në Twitter se Irani po vepron për të mbrojtur interesat e tij, teksa përballet, me atë që ai e quajti "terrorizëm ekonomik" të SHBA-së.

"Të gjitha këto hapa janë të kthyeshme, nëse E3 përmbushin obligimet e tyre", shkroi Zarif, duke iu referuar tri fuqive evropiane, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë.

Më herët, zëvendësministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi u tha gazetarëve se Irani të heqë dorë nga obligimet e tij nga marrëveshja çdo 60 ditë, nëse nënshkruesit e marrëveshjes - Britania, Kina, Gjermania, Franca dhe Rusia - nuk bëjnë asgjë për ta mbrojtur Teheranin nga sanksionet amerikane.

Araqchi tha se Irani ende dëshiron që ta shpëtojë marrëveshjen, por fajësoi shtetet evropiane se kanë dështuar që t'u përmbahen obligimeve të tyre.

Ndërkaq, presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka dënuar vendimin e Iranit për të rritur pasurimin me uranium, duke thënë se kjo përbën "shkelje" të marrëveshjes.

Megjithatë, një burim nga zyra e Macronit ka thënë se mekanizmi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve - që është pjesë e marrëveshjes bërthamore - - nuk do të aktivizohet tani. Nëse ky mekanizëm do të aktivizohej, do të çonte në rivendosjen e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

"Për momentin, ky nuk është opsion", ka thënë ky burim për agjencinë Reuters.

Vetëm një ditë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron kishte biseduar në telefon me homologun e tij iranian, Hassan Rohani dhe kishte thënë se ai do të mundohet të gjejë një rrugë për të rikthyer dialogun ndërmjet Iranit dhe partnerëve perëndimorë.

*Video: Drejt diplomacisë apo luftës?

Drejt diplomacisë apo luftës?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:09:06 0:00

Në deklaratën e Presidencës franceze thuhej se Macron theksoi “shqetësimin e tij të thellë përballë rrezikut për një dobësim të ri të marrëveshjeve bërthamore të vitit 2015 dhe pasojave që domosdoshmërish do të ndodhin nga një gjë e tillë”.

Por, në deklaratë nuk thuhej në mënyrë specifike se për çfarë pasoja bëhet fjalë, por Shtetet e Bashkuara tashmë kanë vendosur sanksione të forta ekonomike ndaj Teheranit, që kanë shkatërruar ekonominë e vendit.

Macron gjithashtu tha se ai dhe Rohani janë pajtuar që prej tani deri më 15 korrik të shikojnë për mundësitë për të krijuar kushte “që të rifillojë dialogu ndërmjet të gjitha palëve” që do të mundësonin në uljen e tensioneve.

Franca, Britania dhe Gjermania nuk kanë pasur sukses që ta bindin SHBA-në që të vazhdojë të qëndrojë në marrëveshjen bërthamore, që i mundësonte Teheranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor.

Trump u tërhoq nga kjo marrëveshje në maj të vitit 2018, duke thënë se kushtet në këtë marrëveshje nuk ishin aq strikte që ta parandalojnë Iranin që të zhvillojë armë bërthamore.

Në kundërpërgjigje, muajin e kaluar Rohani njoftoi se shteti i tij do të tejkalojë kufirin e lejuar në marrëveshje për rezervat e uraniumit të pasuruar, duke thënë se do të kalohet kufiri prej 300 kilogramë deri më 27 qershor, një gjë që është konfirmuar edhe nga agjencitë ndërkombëtare.

Rohani tha se Irani gjithashtu më 7 korrik do të nisë rritjen e pasurimit të tij me uranium, përtej limitit të lejuar prej 3,67 për qind që është vendosur në marrëveshjen e vitit 2015.

Ali Akbar Valayati, këshilltar i liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei, tha se rritja e uraniumit do tëpërputhje me përdorimin civil.

“Për shembull, ne kemi nevojë për uranium të pasuruar me 5 për qind për përdorimin e centralit në Bushehr dhe kjo është për një qëllim krejtësisht paqësor”, tha Valayati.

Teherani ka thënë se kjo shkelje e marrëveshjes do të jetë e kthyeshme “brenda disa orësh”, nëse do të bëhet progres në lehtësimin e sanksioneve ndaj Iranit, që SHBA-ja ka rivendosur.

Presidenti Trump së fundmi ka paralajmëruar Teheranin që të mos bëjë asnjë kërcënim, sa i përket programit të tij bërthamor.

“Ki kujdes me kërcënime Iran”, ka shkruar ai më 3 korrik në profilin e tij në Twitter.

Diplomatët evropianë kanë thënë se shkeljet e mëtejme të marrëveshjes, mund të bëjnë që Franca, Britania dhe Gjermania – shtete nënshkruese të marrëveshjes – të aktivizojnë një mekanizëm të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, që është pjesë e marrëveshjes bërthamore, që eventualisht do të mund të çojë në rivendosjen e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG