Ndërlidhjet

Kosova ndalon të gjitha vizitat e zyrtarëve të Serbisë


Merdare, pika kufitare mes Kosovës e Serbisë- foto nga arkivi.
Merdare, pika kufitare mes Kosovës e Serbisë- foto nga arkivi.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka vendosur masë ndalese për hyrje në territorin e Kosovës për të gjithë zyrtarët e institucioneve shtetërore të Serbisë. Kjo masë pasoi zhvillimet e ditëve të fundit në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku me mbështetjen politike të Beogradit, autoritetet e atjeshme dhe tregtarët kishin mbyllur për dy ditë të gjitha dyqanet në shenjë proteste ndaj taksës 100 për qind që Qeveria e Kosovës u ka vendosur të gjitha importeve nga Serbia.

Jetlir Zyberaj, shef i Kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka shkruar në Facebook, se Ministria Punëve të Jashtme e Kosovës nuk do të lejojë asnjë zyrtar nga Beogradi që ta vizitojë Kosovën, për shkak të kërcënimeve ndaj popullatës serbe në Kosovë, propagandës së vazhdueshme dhe përpjekjes së fundit për inskenim të krizës humanitare në komunat veriore.

“Për shkak të kërcënimeve hibride që Serbia po bën ndaj Kosovës, propagandës së vazhdueshme dhe lajmeve ‘fake’ (të rreme) ndaj vendit dhe qytetarëve tanë dhe përpjekjet e fundit për të inskenuar një të ashtuquajtur krizë humanitare në veri të Kosovës, duke kërcënuar popullsinë serbe që jeton atje, dhe duke i detyruar ata të mbyllin bizneset e tyre vetëm për shkak të disa objektivave politike të Beogradit, Ministria e Punëve të Jashtme nuk do të lejojë asnjë zyrtar nga Beogradi për të vizituar Kosovën dhe të gjitha kërkesat do të refuzohen për aq kohë sa kjo sjellje vazhdon”, ka shkruar Zyberaj.

Një koment të shkurtër në lidhje me masën e Qeverisë së Kosovës e ka bërë edhe zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq. Ajo ka thënë se BE-ja pret që të dy palët t’i respektojnë marrëveshjet tashmë të nënshkruara në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, përfshirë edhe marrëveshjen për vizitat e zyrtarëve. Ajo ka thënë se Brukseli është në kontakt me palët (Prishtinën dhe Beogradin) në lidhje me këtë vendim.

Përderisa ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se ndalimi i hyrjes së zyrtarëve serbë në Kosovë, paraqet “shuplakë për BE-në”.

“Vendimi është edhe një shuplakë, jo Beogradit, por në radhë të parë Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare e cila po hesht me turp për shkeljen e të gjitha normave civilizuese që po e bëjnë Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi", ka thënë Daçiq, për mediat në Beograd.

Edhe deputeti i Kuvendit të Serbisë, Miroslav Lazanski, i cili është anëtarë i partisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq tha për Radion Evropa e Lirë, se Serbia ka një spektër të gjerë të masave të reciprocitetit, me të cilat mund t’i përgjigjet “veprimeve të Prishtinës”.

“Ky veprim i Prishtinës (që t’i ndalojë vizitat e zyrtarëve nga Serbia), paraqet një fazë rëndese të përkeqësimit të raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Serbia mund të kundërpërgjigjet me veprime reciprociteti, që zyrtarëve me dokumente të Kosovës t’ua pamundësojë të kalojnë përmes territorit të Serbisë”, ka thënë deputeti i Partisë Përparimtare Serbe, Lazanski.

Sipas tij, kjo ndalesë është paralajmërim që vazhdimi i dialogut ndërmjet dy vendeve, nuk mund të ndodhë shpejt.

“Veprimi i Prishtinës nuk është një veprim që paralajmëron vazhdimin e shpejtë të dialogut. A do të thotë tash kjo që edhe personat që punojnë në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nuk do të mund të hyjnë në Kosovë, a do të thotë kjo që as përfaqësuesit e Kishës Ortodokse nuk do të mund të hyjnë, ngase edhe ata janë zyrtarë?”, është shprehur Lazanski.

Në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, tregtarët serbë për dy ditë – të hënën dhe të martën – kanë mbyllur dyqanet e tyre, duke thënë se nuk kanë mallra për të shitur.

Vendimin e tyre, ata e kanë arsyetuar me, siç kanë thënë, “vështirësitë në furnizim” për shkak të taksës doganore 100 për qind, që Kosova u ka vënë mallrave që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Megjithatë, të gjitha dyqanet në këto komuna janë rihapur të mërkurën. Ndërsa, gjatë dy ditëve sa ato qëndruan të mbyllura, Qeveria e Kosovës kishte hapur pika ambulante të shitjes.

*Video nga arkivi: Rihapja e shitoreve në veri

Rihapen shitoret në veri
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:00 0:00

Ditë më parë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për “inskenim primitiv të krizës humanitare, me qëllim të destabilizimit të veriut të vendit dhe pushtimit tregtar”.

“Është një skenar tepër primitiv, i shekujve të kaluar. E pabesueshme që në Serbi ka ende këso logjike. Presidenti (Aleksandar) Vuçiq është ideator dhe zbatues i këtij skenari. Sipas tyre, atë që nuk e ka arritur presidenti (Donald) Trump, kancelarja (Angela) Merkel, presidenti (Emmanuel) Macron, që është suspendimi i taksës, ai (Vuçiq) dëshiron ta arrijë këtë me një destabilizim të veriut. Fillimisht, duke improvizuar një krizë humanitare dhe pastaj, në gjoja dalje në ndihmë për këtë krizë të bëjë një invazion, një pushim ta quaj ashtu, humanitar dhe tregtar në veri. Është skenar tepër primitiv”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se “si fqinj i është lutur Vuçiqit të mos e zbatojë këtë skenar destabilizues”.

“Unë e kam lutur, si fqinj që të mos e zbatojë këtë skenar, sepse nuk ka si të fshihet, mbahet përgjegjës sepse krejt bota po e sheh dhe po e di, që është shkaktar i destabilizimit potencial nëse e zbaton këtë. Pse mund të ndodhë? Kosova do ta zbatojë rendin dhe ligjin, këtë duhet ta kuptojnë një herë e përgjithmonë të gjithë. Nuk do të ketë asnjëherë vakum në rend e ligj, në asnjë metër të territorit të Kosovës”, kishte theksuar ai.

Në nëntor të vitit të kaluar (2018), Qeveria e Kosovës ka vendosur taksë doganore 100 për qind ndaj produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Që atëherë, ky vendim është kritikuar vazhdimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, të cilat kanë kërkuar suspendimin e taksës dhe vazhdim të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG