Ndërlidhjet

Limaj: Respektojmë vendimin e Kushtetueses për Delegacionin shtetëror


Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, i cili njëherësh ka qenë bashkëkryesues i Delegacionit shtetëror të Kosovës në dialogun me Serbinë, tha se ai dhe partia e tij do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila tha se Delegacioni shtetëror është jokushtetues.

Limaj po ashtu paralajmëroi se partia e tij do të ketë një qëndrim lidhur me këtë çështje, vetëm pasi të ketë biseduar edhe me anëtarët e tjerë të koalicionit qeverisës.

“Unë personalisht dhe ne si Nismë respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me opinionin e saj për Ligjin për kompetencat e Delegacionit shtetëror për dialog”, tha Limaj në një konferencë për media.

“Pas këtyre zhvillimeve, unë dua të shfrytëzojë rastin që të ftojë partnerët e koalicionit të bashkëbisedojmë për këto zhvillime të fundit. Dua t’i dëgjoj partnerët e koalicionit sesi e shohin dhe si i vlerësojnë hapat e mëtutjeshëm rreth kësaj teme. Pasi t’i dëgjojmë partnerët e koalicionit, ne si Nismë dhe unë personalisht, do të marrim qëndrimin e duhur se si do të ecim më tutje”, tha Limaj.

Kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj tha se pas vendimit të Kushtetueses, anëtarët e Delegacionit nga Partia Socialdemokrate kanë dhënë dorëheqje.

“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka pasur zhvillime të reja. Përfaqësuesit e opozitës nga Partia Socialdemokrate, bashkëkryesuesi Shpend Ahmeti dhe anëtarët e tjerë që kanë qenë pjesë e Delegacionit shtetëror kanë ofruar dorëheqje”, tha ai.

Më herët gjatë kësaj jave, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të lëndës së parashtruar nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje me të cilën kontestohet jokushtetues Ligji për Delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Kushtetuesja ka konstatuar se “Delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit".

Gjykata Kushtetuese përmes një njoftimi për media tha se"si i tillë, delegacioni shtetëror nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit, sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG