Ndërlidhjet

SHBA-ja godet me sanksione udhëheqësin suprem të Iranit


Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei,
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei,

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për sanksione të reja kundër Iranit.

Sanksionet, që godasin edhe zyrën e udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, vijnë në kohën e shqetësimeve në rritje se dy vendet po shkojnë kah konflikti ushtarak.

Sanksionet e reja do t’ia ndalojnë Khameneit dhe bashkëpunëtorëve të tij “qasjen në burimet kryesore financiare”, tha Trump, teksa nënshkroi dokumentin në Zyrën Ovale.

Trump tha se masat e reja janë ndëshkim për veprimet “provokuese” të Iranit, në javët e fundit.

​Presidenti amerikan tha se do të vazhdojë të rrisë presionin ndaj Iranit, derisa regjimi atje t’iu japë fund “aktiviteteve të rrezikshme”, përfshirë ndjekjen e armëve bërthamore, zhvillimin e raketave balistike dhe mbështetjen e terrorizmit.

Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, tha se Trump e ka autorizuar atë të sanksionojë këtë javë edhe ministrin e Jashtëm iranian, Javad Zarif.

“Këto sanksione janë shumë të rëndësishme për aktivitetet e fundit”, tha Mnuchin.

Zarif tha se administrata Trump ka "etje për luftë", ndërsa Majid Takht Ravanchi, ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara, tha se vendi i tij nuk do të zhvillojë bisedime me Shtetet e Bashkuara nën kërcënimin e sanksioneve, të cilat i përshkroi si "luftë" kundër popullit të tij.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Abbas Musavi, shkroi në Twitter se sanksionet e "padobishme" të SHBA-së kundër Khameneit dhe Zarifit nënkuptojnë "mbylljen e përhershme të rrugës së diplomacisë".

Trump tha të hënën se ai ka qenë në prag të autorizimit të sulmeve kundër Iranit, pasi ky i fundit ka rrëzuar një dron amerikan, javën e kalaur.

Shtetet e Bashkuara thanë se droni ishte mbi ujërat ndërkombëtarë kur Irani e rrëzoi me raketë, por Republika Islamike tha se ai po fluturonte mbi territorin e saj.

Incidenti me dron pasoi dy sulme në cisternat e naftës, që ndodhën këtë muaj në Gjirin e Omanit. SHBA-ja e fajësoi Iranin për to, por ai e mohoi përgjegjësinë.

Rrethi i ri i sanksioneve të SHBA-së godet edhe tetë anëtarë të rangut të lartë të Korpusit të Gardës Revolucionare të Iranit.

Sanksionet ngrijnë gjithë pronën e tyre në Shtetet e Bashkuara dhe parandalojnë çdo individ ose subjekt që të kryejë ndonjë transaksion financiar me ta.

Richard Haass, president i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, tha se sanksionet në rritje mund të kenë kundër-efekt.

"Logjika e politikës së presionit [ekonomik] është se, herët a vonë, Irani do të bëjë diçka që na detyron të sulmojmë. Lufta do të shmanget vetëm nëse Trump i ofron Iranit një rrugë të ligjshme diplomatike", tha Haass.

Tensionet janë rritur prejse Shtetet e Bashkuara, vitin e kaluar, janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore dhe kanë rikthyer sanksionet kundër Republikës Islamike.

Trump do që ta detyrojë Teheranin të rinegociojë marrëveshjen bërthamore, duke thënë se kushtet e saj nuk kanë qenë të ashpra mjaftueshëm sa për ta penguar Iranin nga krijimi i armës bërthamore.

Irani mohon se mbështet aktivitetet terroriste dhe thotë se programi i tij bërthamor ka qëllime civile.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG