Ndërlidhjet

Trump: Irani i sulmoi anijet në Gjirin e Omanit


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e akuzoi Iranin për kryerjen e sulmeve kundër dy cisternave të naftës, të enjten në Gjirin e Omanit.

Trump i bëri komentet në një intervistë për Fox News dhe shtoi se SHBA-ja nuk do të lejojë që aktivitetet e Iranit të mbyllin transportin ndërkombëtar përmes Ngushticës së Hormuzit.

Komentet e Trumpit vijnë një ditë pasi sekretarai amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Qeveria amerikane ka vlerësuar se "Irani është përgjegjës" për sulmet në dy cisterna - njëra norvegjeze, tjetra japoneze.

Ushtria amerikane po ashtu publikoi një video, që tregon, siç thuhet, një ekip nga patrulla e Gardës Revolucionare të Iranit duke hequr një, siç thuhet, minë të pashpërthyer nga njëra anije, pas sulmit.

Zyrtarët i thanë CNN-it se Pentagoni beson se kjo ka qenë një përpjekje e forcave iraniane për të fshehur provat e përfshirjes së tyre.

Irani e mohoi çdo lidhje me sulmet.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Abbas Mousavi, i cilësoi akuzat e Uashingtonit si "alarmante" dhe tha se "akuzimi i Iranit për një incident të tillë të dyshimtë është mënyra më e thjeshtë dhe më e përshtatshme për Pompeon dhe zyrtarë të tjerë të SHBA-së".

Askush nga ekuipazhi i dy anijeve nuk u plagos.

Gjiri i Omanit ndodhet pranë Ngushticës së Hormuzit, që është një vendkalim për gati një të tretën e gjithë naftës që tregtohet nga deti.

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara e akuzuan Iranin për sulme kundër katër cisternave të naftës pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe. Irani i mohoi akuzat.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG