Ndërlidhjet

Krasniqi: Thelbi i tensioneve në Shqipëri është lufta për kontrollin e tregjeve ekonomike


Protestat në Tiranë, 13 maj 2019
Protestat në Tiranë, 13 maj 2019

Përplasjet politike në Shqipëri bëhen për pushtet dhe kontroll të tregjeve dhe ekonomisë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike në Tiranë.

Sipas tij, situata pas vendimit të presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve, dhe instistimit të kryeministrit Edi Rama për të mbajtur ato, tregon nevojën që palët të bëjnë nje hap prapa nga qëndrimet dhe të përfshihen në dialog për gjetjen e zgjidhjes. Përcaktues në zgjidhjen e tensioneve, sipas tij, mbetet roli i faktorit ndërkombëtar dhe sidomos i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Krasniqi, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tashmë e ka nënshkruar shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve lokale që ishin caktuar të mbahen 30 qershor. Ndërkohë, kryeministri, Edi Rama, ka thënë se zgjedhjet do të mbahen. Pas një përplasje disa mujore politike, tashmë Shqipëria ka hyrë në përplasje edhe juridike. Si e komentoni ju tërë këtë situatë?

Afrim Krasniqi: Unë mendoj se vendimi i presidentit Meta është më shumë politik sesa kushtetues. Akti i tij nuk parashikohet nga Kushtetuta, por zgjedhjet e 30 qershorit me një subjekt politik dhe pa pjesëmarrjen e opozitës, gjithsesi nuk kishin sens demokratik dhe nuk kishin sens në aspektin e nevojës së Shqipërisë për stabilitet. Kështu që është një akt i sforcuar që hap dritën jeshile për një dialog midis palëve politike.

Nëse Qeveria përdor mekanizmat e saj për të imponuar zgjedhjet, mund të ketë zgjedhje por nuk ka zgjidhje politike, e njëjta situatë edhe nëse opozita i bojkoton gjitha proceset. Kështu që mendoj se do të duhej Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të shprehet në lidhje me dekretin e Presidentit nëse do të veprojë apo jo me të, mund të shprehet edhe Kolegji Zgjedhor, mund të përdoren edhe instrumentet tjera siç janë gjykatat, por mendoj se përcaktues do të jetë roli i faktorit ndërkombëtar dhe sidomos Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Deri në këto momente kur po flasim ende nuk kemi qëndrim prej tyre.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të mbahen zgjedhjet në këtë situatë, në rast se Qeveria vendos të procedojë. A ka tashmë bazë ligjore për këtë? Pastaj, kemi çështjen tjetër, që Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale, pra kush mund të japë verdiktin përfundimtar nëse ka bazë ligjore për mbajtjen e tyre?

Afrim Krasniqi: Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ketë një verdikt nëse presidenti apo Qeveria e kanë shkelur Kushtetutën dhe nuk mendoj se mund të bëhen zgjedhjet e 30 qershorit. Gjithsesi, në ditët e mbetura deri në këtë datë, do të duhej që palët politike të konsumojnë një kontakt midis tyre ose me palë të tretë dhe mjetet tjera që mund të çojnë në një zgjidhje politike.

Sepse, zgjedhjet edhe nga ana formale, në kushtet aktuale kur presidenti shprehet se unë e shfuqizojë datën e mbajtjes së tyre, domethënë që çdo subjekt dhe çdo qytetar që i konteston ato, ka argumentin e presidentit.

Kështu që, është e drejta e atyre që kontestojnë zgjedhjet për të respektuar dekretin e presidentit dhe e drejta e Qeverisë të mos njohë dekretin e presidentit, gjersa nuk kemi një arbitër midis palëve. Mendoj se para se të shkohet në një konfrontim të ri, një thellim krize, dhe ndoshta përplasje civile me datën 30 do të duhej që palët të bëjnë nga një hap pas, dhe të gjendet mekanizma tjera, dhe në këtë lloj këndvështrimi e shoh aktin e presidentit, si një mundësi për një dialog, dhe jo si një akt kushtetues që shkon në logjikën kushtetuese dhe në bazën aktuale kushtetuese në Shqipëri.

Radio Evropa e Lirë: Cili është ndikimi i kësaj situate në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, kur dihet se në qershor Këshilli i Bashkimit Evropian mund të diskutojë për mundësinë e dhënies së datës për fillimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë?

Afrim Krasniqi: Pothuajse të gjithë liderët politik në Shqipëri janë të ndërgjegjshëm se përgjigjja e Bashkimit Evropian në qershor do të jetë negative, dhe do të ketë një vendim të ndërmjetëm për të shtyrë vendimin në një datë tjetër. Në këtë lloj këndvështrimi nuk ka një efekt çfarëdo lloj vendimi do marrë Brukseli në lidhje me Shqipërinë. Për më tepër ka një distancë të madhe midis shumicës së qytetarëve shqiptarë që duan integrimin dhe aktorëve politik të cilët nuk janë shumë të interesuar, nuk e kanë prioritet dhe nuk e kanë pjesë të agjendës.

Nëse do të ishte ndryshe, do të duhej që qeveria që kur nisi kriza dhe opozita që kur inicoi krizën të ofrojnë një alternativë, një paketë propozimesh për tejkalimin e situatës. Asnjëra nga palët nuk e ka bërë këtë, dhe secila nga palët ka lëvizur duke kërkuar maksimalen nga kriza. Kemi këtë lloj këndvështrimi, se cila palë do të ia kaloj tjetrës, por në thelb, të gjithë e dinë që qershori nuk do të prodhojë ndonjë vendim të rëndësishëm për Shqipërinë, aq më tepër që sukseset kryesore me të cilat do të duhej të prezantohej Shqipëria në qershor, siç janë zgjedhjet dhe reforma në drejtësi ndërkohë që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të lartë dhe struktura e Prokurorisë së Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit (SPAK) e cila nuk është krijuar ende.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Krasniqi, për shumëkë jashtë Shqipërisë, kjo situatë në disa aspekte është e paqartë. Kemi protesta të opozitës që prej janarit të vitit 2018 me kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Rama, kërkesë kjo që dëgjohet nga çdo opozitë në secilin vend, por a mund të na shtjelloni thelbin e kësaj përplasjeje politike dhe tensionimin deri në këtë pikë të situatës?

Afrim Krasniqi: Në fakt, gjithmonë në Shqipëri, në tranzicion mandatet e dyta të qeverive kanë paraqitur kriza politike dhe kanë kanë pasur shumë problematika. Mandatet e para në tërësi kanë qenë mandate reformatore mandatet e dyta kanë qenë përpjekje e kryeministrave për të kontrolluar të gjitha segmentet e pushtetit, mediat, ekonominë, privatizimin, institucionet e pavarura dhe për të personalizuar pushtetin.

Ne për herë të parë pas zgjedhjeve të kaluara kemi një parti të vetme që qeverisë, dhe duke qenë një vend i vogël me burime të kufizuara, kur një parti e vetme qeveris domethënë drejton administratën, privatizimin dhe kontrollin ekonomik dhe institucionale të vendit të vendit, ngelet pak hapësirë për opozitën për të bërë jetë aktive politike dhe për të ruajtur bazamentin elektoral dhe ekonomik. Këtu mendoj se është thelbi kryesor i konfliktit është lufta e palëve për të kontrolluar tregjet ekonomike, pushtetin politik dhe ekonominë në Shqipëri.

Përplasjet nuk lidhen direkt me standardet për zgjedhje dhe standardet e demokracisë. Nëse do të ishte kjo e dyta (standardi demokratik) atëherë do të thotë se do të prisnim nga kriza politike të kishim një standard tjetër të demokracisë në Shqipëri, por fakti se vetë partitë nuk kanë zgjedhje demokratike brenda tyre, ato nuk janë institucione demokratike, vetë liderët nuk mbajnë përgjegjësi dhe nuk japin asnjëherë dorëheqje, dhe vetë ata, qoftë dje në pushtet qoftë sot në pushtet, nuk kanë ofruar një model referues pozitiv ndryshe nga tjetri, tregon që mekanizmi është i njëjtë, sistemi është i njëjtë: korruptiv dhe arrogant. Pra, personat që janë liderë politik po mundohen të përfitojnë për të drejtuar këtë sistem dhe jo për ta ndryshuar atë sistem.

Duke qenë burimi i luftës për pushtet atëherë edhe konflikti është i personalizuar nuk diskutohet Parti Socialiste dhe Parti Demokratike por diskutohet midis zotit Rama dhe zotit Basha, dhe nuk diskutohet LSI si parti e tretë, por diskutohet zotit Meta që sot është president çfarë do të bëjë me partinë e tij kur të largohet nga pozita e presidentit ose kur afrojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Duke pasur karriera individuale në lojë, shumica e krizës është e shpjeguar në raportet e tyre personale dhe besnikëve të tyre që nuk janë tërësisht parti po që janë grupe financiare që fshihen pas tyre.

Për shkak se reforma në drejtësi dhe sidomos SPAK-u ka paralajmëruar hetime edhe për liderët politik, shumica e liderëve në Shqipëri janë unanimisht kundër kësaj strukture domethënë bëjnë përpjekje jo për ta ndaluar se nuk e ndalojnë dot, por për ta bërë formale dhe për t’i dhënë imunitet vetës së tyre nga hetimet e mundshme pas krijimit të kësaj strukture.

Fatkeqësisht, në Shqipëri ka ndodhur edhe në të kalurën që faktorët ndërkombëtar duke e parë nevojën për stabilitet ose nevojën për demokraci iu kanë dhënë imunitetin liderëve politik.

Nëse ndodh edhe në këtë rast do të ishte lajm i keq për Shqipërinë. Prandaj dhe kriza kërkon një zgjidhje shumë më të madhe sesa një marrëveshje midis dy liderëve, kërkon një paketë për Evropën, për integrimin që mund të zgjasë katër deri në pesë vjet dhe që mund të parashikojë rregulla të reja loje përfshirë ndryshime kushtetuese. Fakti se asnjëra palë nuk është e gatshme për këtë gjë është sepse nëse bëhet kjo paketë dikush duhet të largohet nga jeta politike, kur them dikush do të thotë një nga liderët kryesor ose të gjithë liderët kryesor, gjë që praktikisht refuzohet në mënyrë unanime prej tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG