Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë të premtën në Prishtinë, pas kthimit nga Berlini, se Kosova ka treguar që është palë serioze në procesin e dialogut me Serbinë.
Në një konferencë për media, Haradinaj ka thënë se Samiti i Berlinit ka mbyllur “çështjen e formulave të ndërrimit të territoreve, të kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë dhe se në takimin e fundit nuk është diskutuar diçka e tillë.
Sipas tij, në Berlin është diskutuar për taksën e vënë nga Qeveria e Kosovës në importet e Serbisë dhe Bosnjës, mirëpo ka përsëritur se kjo masë mund të pezullohet vetëm në rast të ndonjë marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, në kufijtë ekzistues, që parasheh njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.
Sa i përket koordinimit në mes të liderëve shtetërorë, pak para zhvillimit të një takimi në Paris, mes palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, Haradinaj ka thënë të mos ketë qenë në dijeni për pjesëmarrjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në një forum në Bratisllavë.
“Nuk e kemi ditur se do të ketë prezencë të Kosovës në Bratisllavë, mirëpo është mirë që Kosova paraqitet. Nuk kemi arritur të bëjmë konsulta, mirëpo është me rëndësi që të gjithë të kemi qëndrime të njëjta, të mos shkaktojmë dilema te palët tjera”, ka deklaruar ai.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel ka nisur më 2011.
Haradinaj ka thënë mes tjerash se vizita e tij në Gjermani i ka dhënë shtytje të re procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Kosova është në një nivel tjetër të marrëdhënieve biletarale me Gjermaninë, të atyre me Bashkimin Evropian, pra ka avancim të procesve tona, ashtu sikurse ka avancim shumë në atë që na intereson shumë, çështjen e liberalizimit të vizave”.
Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012.
Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave i BE-së nuk e ka vendosur fare në agjendën e takimit çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me vendet e BE-së.