Ndërlidhjet

Familja Bytyçi kërkon të parandalohet lirimi i parakohshëm i Gjorgjeviqit


Vëllezërit e vrarë Bytyçi
Vëllezërit e vrarë Bytyçi

Familja e tre vëllezërve Bytyçi, të cilët janë gjetur të vrarë në Serbi në vitin 1999, kërkoi të hënën nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që të parandalojnë lirimin e parkohshëm të ish-zëvendësministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq.

Gjorgjeviq është dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për shkak të rolit të tij në transferimin e trupave të shqiptarëve, të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Ai është në mesin e të dyshuarve edhe në rastin e vrasjes së vëllezërve Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçi dhe më 17 qershor fiton të drejtën për lirim të parakohshëm.

Vëllezërit Bytyçi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kanë qenë shtetas të SHBA-së.

Në letrën dërguar Vuçiqit, familja Bytyçi thotë se "për më shumë se pesë vjet, ai i premton asaj dhe SHBA-së se rasti do të zgjidhet shpejt" dhe se "në javët apo muajt e ardhshëm Vuçiq e ka një mundësi unike për të treguar vendosmërinë e tij".

Në letër po ashtu i bëhet thirrje Vuçiqit që të kundërshtojë hapur lirimin e parakohshëm të Gjorgjeviqit dhe theksohet se ky i fundit "ka informacione të rëndësishme që mund të ndihmojnë në gjetjen e varrezave të tjera masive".

Gjorgjeviq "di shumë më tepër për vrasjen e vëllezërve Bytyçi", thuhet në letër.

"Ju bëjmë thirrje juve dhe qeverisë suaj që të ushtroni presion ndaj tij për të dhënë informacione, në mënyrë që ne dhe qindra familje të tjera të mund të gjejmë paqe", thuhet në letrën e familjes Bytyçi.

Letra me të njëjtën thirrje iu dërgua edhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Vëllezërit Bytyçi janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritet serbe për shkak të, siç është thënë, hyrjes së paligjshme në Serbi.

Trupat e pajetë të tyre janë gjetur në qershor të vitit 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sello në Serbi.

Për vrasjen e tyre kanë qenë të akuzuar dy policë serbë, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, por ata janë liruar nga Gjykata e Lartë në Beograd për shkak të, siç është thënë, mungesës së provave.

Vëllezërit Bytyçi kanë qenë shtetas amerikanë dhe Uashingtoni ka kërkuar vazhdimisht drejtësi për ta.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG