Turpi, frika, pasiguria financiare, mungesa e besimit në institucionet, janë disa nga shkaqet që gratë të cilat janë viktimë e dhunës në familje nuk e denoncojnë atë para organeve të drejtësisë.
Hulumtimi që ka realizuar Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka nxjerrë në pah se vetëm 2 për qind e grave të anketuara në Maqedoninë e Veriut, të cilat kanë qenë viktimë e dhunës nga partnerët e tyre, kanë marr guximin për ta raportuar atë para organeve të sigurisë.
Gratë theksojnë se nuk e denoncojnë dhunën sepse shteti ka shumë pak mekanizma për t’i mbrojtur.
“Pasi e denoncova dhunën që e përjetoja nga bashkëshorti im pothuajse për çdo natë, më mbetën dy mundësi jo të favorshme, të kthehem sërish në shtëpinë e bashkëshortit ose të jetoja në rrugë. Institucionet veprojnë shumë ngadalë dhe nuk ke asnjë mbështetje institucionale gjatë procesit të divorcit dhe shumë ngadalë shkon edhe procesi i ndarjes së pronës që kishim fituar gjatë jetës bashkëshortore”, thotë një grua, e cila ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunën që ka ushtruar ndaj saj dhe fëmijëve të mitur.
Por, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka bërë të ditur se gjatë këtij viti pritet të hapen edhe pesë zyra rajonale për të strehuar gratë që janë viktimë e dhunës në familje
“Gjatë këtij viti duhet të hapen pesë qendra për shërbimi për gratë që janë viktima të dhunës familjare dhe shpresojmë se me mbështetjen ndërkombëtare, do të aktivizojmë kuadër adekuatë, i cili do të punojë drejtpërdrejtën me viktimat. Edhe pse para nesh ka shumë sfida, kjo Qeveri ka vullnet të fortë politik dhe është e vendosur të punojë në zgjidhjen e këtij problemi”, ka thënë ministrja Carovska, duke u zotuar se brenda këtij viti, do të hyjë në procedurë parlamentare, ligji i ri për mbrojtjen e grave nga dhuna.
Por, organizatat që kanë në fokus të drejtat e grave, thonë se kjo çështje është shumë e ndjeshme dhe nevojitet ndërveprim sistemor i të gjitha institucioneve. Kjo, sipas tyre, është më rëndësishme sesa ndryshimi dhe plotësimi i ligjeve.
“Edhe tani në bazë të ligjit gratë janë të mbrojtura, por në më shumë aspekte është jofunksionale ndërlidhja e institucioneve për të vepruar që grave, viktima të dhunës, t’u krijohet një siguri që ato të inkurajohen të denoncojnë dhunën. Pra, dihet se duke pasur parasysh parimet e patriarkalizmit, dihet se gratë që denoncojnë dhunën duhet të kthehen të jetojnë nën një kulm me dhunuesin”.
“Pra nuk mjaftoj qendrat strehuese, përkatësisht qendrat sociale transitore, ku gratë viktima të dhunës, u mundësohet të qëndrojnë për disa ditë. Atyre duhet t’u krijohen mundësi banimi për një kohë më të gjatë dhe veçanërisht mundësi punësimi”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nora Kaliqi drejtuese organizatës joqeveritare “AJO”, organizatë që merret me të drejtat e grave.
Shqetësues mbetet fakti se gjysma e grave vlerësojnë se dhuna në familje është çështje që duhet të zgjidhet brenda në familje dhe jo përmes institucioneve përkatëse.
“Studimi i OSBE-së tregon se gati gjysma e të gjitha grave të anketuara në Maqedoninë e Veriut besojnë se dhuna në familje është një çështje private që duhet të zgjidhet brenda familjes, ndërsa tri nga dhjetë gra besojnë se viktimat ekzagjerojnë në pretendimet e tyre për abuzim dhe përdhunim”, ka bërë të ditur këshilltarja e posaçme e OSBE-së për çështjet gjinore, Amarsana Darisuren, teksa ka prezantuar rezultatet e hulumtimit të realizuar nga kjo organizatë.