Producenti i filmit, Harvey Weinstein dhe ish-anëtarët e bordit të studios së tij, kanë arritur marrëveshje paraprake me gratë që e kanë akuzuar atë për sjellje të keqe seksuale, kanë raportuar mediat amerikane.
Avokatët kanë thënë se marrëveshja synon të zgjidhë rastet e padive civile dhe kompensimin e viktimave në vlerë të rreth 44 milionë dollarëve.
Weinstein ka mohuar vazhdimisht se ka ngacmuar apo ka abuzuar me 75 gra.
Ai do të paraqitet para një gjykate në Nju Jork në muajin qershor, për t’u përballur me dy akuza penale, në të cilat përfshihet edhe dhunimi.
Në rast se shpallet fajtor, ai mund të kalojë pjesën tjetër të jetës në burg.
Avokati i studios që ka bashkëthemeluar Weinstein, Adam Harris, i ka thënë gjyqarit se është arritur një “marrëveshje paraprake financiare”, ka raportuar agjencia e lajmeve, Associated Press.
Weinstein, 67-vjeçar, është një prej producentëve më të famshëm të Hollywood-it, dhe ka punuar me një numër të artistëve që kanë fituar çmimet kryesore filmike.
Në tetor të vitit 2017, e përditshmja amerikane, New York Times, pati publikuar një shkrim ku tregoheshin në detaje pretendimet për ngacmime seksuale, të kryera nga ai.
Aktoret, Rose McGowan dhe Ashley Judd, kanë qenë ndër aktoret e para të zëshme ndaj kësaj çështjeje.