Ndërlidhjet

Prokuroria kërkon zgjatjen e paraburgimit për gratë e kthyera nga Siria në Kosovë


Disa gra para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Disa gra para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Speciale e Kosovës kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë që t’ua zgjasë paraburgimin shtëpiak, grave të kthyera nga Siria.

Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga avokatja e njërës prej grave, Fehmie Gashi-Bytyçi.

Ajo shtoi se kërkesa e Prokurorisë nuk e përcakton se edhe për sa kohë kërkohet zgjatja e kësaj mase.

Më 19 prill, 110 shtetas të Kosovës janë kthyer nga Siria në Kosovë, përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe 4 luftëtarë, që morën pjesë në grupin militant, Shteti Islamik.

Luftëtarët janë arrestuar menjëherë, kurse grave u është caktuar paraburgim shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Kthimi i tyre u bë i mundur me ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

Para një muaji, Gjykata Themelore në Prishtinë ua caktoi masën e arrestit shtëpiak, të gjitha grave të kthyera nga Siria. Vendimi i mor për shkak të veprës penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurat që nga viti 2014 e deri me datë 20.04.2019, kanë qenë në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se në zonën e konfliktit në Siri ende mbesin rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.

Riintegrimi i vështirë i të kthyerve nga Siria

Në vitin 2015, institucionet e Kosovës hartuan një ligj të posaçëm, me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja do të dënohet deri në 15 vjet burgim.

Grupi militant Shteti Islamik, muajve të fundit humbi kontrollin mbi territorin të cilin e kontrollonte dhe shumë luftëtarë u arrestuan, ndërkohë që gratë dhe fëmijët janë duke qëndruar nëpër kampe të ndryshme pasi shtetet prej nga vijnë nuk kanë pranuar riatdhesimin e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG