Ndërlidhjet

Veseli mohon përfshirjen në pretendimet për keqpërdorime


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e hodhi poshtë përfshirjen në disa video-incizime, ku shihen disa persona të dyshuar për vepra kriminale duke marrë para dhe duke u thirrur në emrin e tij.

Veseli, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kërkoi përgjegjësi nga organet e rendit dhe drejtësisë.

Sipas videove të publikuara këtë javë në mediat lokale në Kosovë - vërtetësinë e të cilave Radio Evropa e Lirë nuk e ka konfirmuar - ngjarja ka ndodhur në vitet 2012/2013.

Në një konferencë për media në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, Veseli pyeti se pse autoritet e rendit dhe të drejtësisë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim deri më tash.

"Dua të deklaroj se unë nuk kam të bëj asgjë me këtë rast dhe as me personat e përfshirë në këtë rast. Ky është një rast klasik i mashtrimit dhe i manipulimit, për çfarë jam i bindur se edhe organet e hetuesisë dhe të drejtësisë kanë qenë në dijeni me kohë”, tha Veseli.

“Si është e mundur që për këtë rast të krimit të organizuar, që paska pasur fakte në vitin 2013, të ndërmerren veprime me gjashtë vjet vonesë", tha Veseli.

Ai shtoi se nëse del vetëm një indikacion i përfshirjes së tij në këtë aferë, është i gatshëm të japë menjëherë dorëheqje.

"Dikush duhet të japë llogari penale dhe institucionale”, tha Veseli, duke shtuar se kjo çështje duhet të sqarohet pasi, sipas tij, kjo është një skemë e krimit të organizuar.

Lidhur me këtë rast, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës, të hënën, ka arrestuar pesë persona, përderisa dy të tjerë kanë mbetur në kërkim policor.

Ata janë arrestuar nën dyshimet për "fajde, detyrim dhe mashtrim".

Është thënë se të dyshuarit, vite më parë, kanë pasur qëllim përfitimin në mënyrë të kundërligjshme dhe joproporcionale të pasurisë së paluajtshme dhe të luajtshme.

Veseli po ashtu tha se PDK-ja është në proces të reformimit dhe, sipas tij, personat që e prishin imazhin e partisë do të largohen.

"Do të ketë veprime institucionale, por jo hakmarrëse për zgjidhjen e rastit", u shpreh Veseli.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG