Ndërlidhjet

Haradinaj: E kemi PO-në nga Gjermania për liberalizimin e vizave - urime Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer, theksoi mbështetjen e tij për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Haradinaj, në një postim në Facebook, solli një shkrim të gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ku tha se Seehofer "e konsideron të justifikueshme kërkesën e kosovarëve për të lëvizur të lirë", duke këmbëngulur që Kosova i ka përmbushur kriteret e nevojshme për këtë proces.

"Një mbështetje të madhe këtij procesi i ka dhënë edhe deputeti i Partisë së Gjelbër, Manuel Sarrazin, derisa në korrik të 2018-tës, Komisioni i BE-së konfirmoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat, e po të njëjtin vlerësim vendi e mori edhe nga Parlamenti Evropian", tha Haradinaj.

Ai shtoi se Kosova e ka krijuar ekipin e saj për të bashkëpunuar me Qeverinë gjermane, që ky proces të finalizohet sa më parë.

"Kosovarët tashmë e kanë marrë PO-në e madhe nga Gjermania, për ta jetësuar të drejtën e tyre për lëvizje të lirë. Urime Kosovë!", u shpreh Haradinaj.

Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave i BE-së nuk e ka vendosur fare në agjendën e takimit çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Vëzhguesit, ndërkaq, pohojnë se premtimet e udhëheqësve kosovarë se vizat do të hiqen në qershor, kanë pak gjasa të përmbushen, duke qenë se i gjithë procesi është vendim i vendeve anëtare të BE-së.

Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me vendet e BE-së.

Lexoni edhe këtë: Urimi i hershëm për liberalizimin e vizave

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG